Nga seanca e shpalljes së vendimit ndaj kryetarit të Shtërpcës

Gjykata Vendosi për Kryetarin e Shtërpcës

Kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq dhe zyrtari komunal i prokurimit, Agim Rexhepi, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nikoliq mungontë në seancën e shpalljes së vendimit.

Këtë vendim e ka marrë sot një trup gjykues në Gjykatën Themelore ne Ferizaj.

Kryetari i trupit gjykues, Musa Kongjeli, tha se ekzistojnë rrethana të cilat i përjashtojnë të pandehurit Nikoliq dhe Rexhepi nga përgjegjësia penale.

Megjithatë, gjykata nuk e mohoi faktin se të akuzuarit e kanë kryer veprën për të cilën akuzoheshin.

“Trupi gjykues vlerëson se të pandehurit veprën e kanë kryer nën lajthim faktik dhe juridik”, tha Kongjeli.

Prokuroria i akuzonte Nikoliqin e Rexhepin se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik të Kosovës, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare kur kanë lidhur aneks-kontratë në vlerë prej 346 mijë euro me operatorin ekonomik “Albes”, duke tejkaluar kështu 10 % të vlerës së kontratës bazë prej 1.5 milion euro për ndërtimin e tri ndërtesave në Shtërpcë, me të cilin kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

http://kallxo.com/kryetari-i-shterpces-akuzohet-per-keqperdorim-te-detyres/