Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Gjykata Supreme Vendosi për Salih Mekajn

Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht ka gjetur se Gjykata e Apelit ka vepruar drejt kur ka liruar nga njëra nga akuzat për keqpërdorim të detyrës ish-kryetarin e Apelit, Salih Mekaj.

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorisë Speciale të Kosovës të paraqitur ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Antigona Uka – Lutfiu, zyrtare për informim në Gjykatën Supreme të Kosovës.

“Gjykata Supreme ka refuzuar Kërkesën për Mbrojtje të Ligjshmërisë, të paraqitur nga Prokurori i Shtetit, ne rastin e S.M., lënda me numër PML 361/2017. Kolegji i Gjykatës Supreme ka vendosur për këtë rast me datë 27 mars 2018 ndërsa lënda është ekspeduar më datë 6 prill 2018”, tha Uka për KALLXO.com.

KALLXO.com në dhjetor të vitit të kaluar kishte raportuar se Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit të Kosovës duke vendosur sipas ankesave ndaj aktvendimit të Themelore për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, kishte vendosur të liroj nga akuza e keqpërdorimit të detyrës lidhur me një rast të fajdeve ish-kryetarin e Apelit, Salih Mekaj.

Bashkë me Mekajn lidhur me këtë rast po gjykohen edhe tre persona të tjerë ndërsa gjykimi zhvillohet prapa dyerve të mbyllura.

Ky rast është njëri prej 39 rasteve për liberalizim të vizave.