Ekspertët psikiatrik flasin në Gjykatë pse u tërhoqën nga vlerësimi psikiatrik i Durim Lushajt

 

Dy ekspertë psikiatrik kanë dal sot në gjykatën e Pejës për të dëshmuar në seancën për vrasjen e dy vëllezërve në Shaptej të Deçanit, për çka po gjykohen babë e bir, Sali e Durim Lushaj.

Valbona Blakaj dhe Bujar Obërtica si ekspertë psikiatrik kishin qenë anëtarë të komisionit për ekzaminimin psikiatrik të Durim Lushajt, por para përpilimit të raportit psikiatrik të dy ekspertët ishin tërhequr nga komisioni për vlerësimin e Lushajt.

Si përfundim raporti psikiatrik ka qenë i nënshkruar vetëm nga kryetarja e komisionit Nazmije Musliu.

Ekspertja Blakaj rrëfeu para trupit gjykues se gjatë procesit të vlerësimit për shkak të mospajtimeve rreth përpilimit të raportit në mes të anëtarëve të komisionit, e po ashtu për hir të transparencës ajo ishte tërhequr nga komisioni.

Blakaj shtoi se edhe urdhëresa e gjykatës specifikonte qe një prej ekspertëve si anëtar i komisionit duhet të ishte profesor universitar, andaj i kishte liruar vendin një eksperte që i plotësonte kushtet.

Ekspertja deklaroi se në atë kohe nga drejtori i Institutit ishte formuar një komision tjetër për ekzaminim psikiatrik të pacienteve i cili komision nuk kishte ekzaminuar të akuzuarin Durim Lushaj.

Në këto rrethana prokurori Haxhi Sinanaj propozoi Gjykatës që ekspertiza e nënshkruar nga ekspertja Musliu të shpallet si provë e papranueshme, meqenëse ai nuk ka qenë në dijeni se ka qenë i formuar ndonjë komision tjetër nga drejtori i Institutit.

Ky propozim u kundërshtua nga avokati Salih Mekaj dhe avokatja Kosovare Kelmendi.

Ndërsa eksperti Bujar Obërtica deklaroi se ka marrë pjesë në ekspertizë por nuk ka dhënë mendim përfundimtar dhe nuk është nënshkrues i raportit përfundimtar.

“Pas tërheqjes sime nga ky komision është caktuar një komision tjetër”, shtoi Obërtica.

Në pyetjen e avokatit Salih Mekaj se a ka qenë shkas vendimi i drejtorit për caktimin e komisionit të ri për tërheqjen e tij, eksperti u përgjigj se qëllimi i ekspertizës është përpilimi i ekspertizës etike, morale dhe objektive prandaj dhe është tërhequr.

Trupi gjykues me kryetare Violeta Husaj- Rugova aprovoi propozimin e avokatit Salih Mekaj që në seancën e radhës të ftohet drejtori i Institutit të Forenzikës, e varësisht prej deklarimit të tij do të vendoset lidhur me propozimin e prokurorit Haxhi Sinanaj për shpalljen ekspertizës psikiatrike për Durim Lushaj si provë të papranueshme.

Prokuroria e Pejës po i akuzon Sali e Durim Lushajn, që janë babë e bir, për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.

Aktakuza e Prokurorisë së Pejës, specifikon se Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt me armë zjarri.

Për këtë rast Gjykata e Pejës e kishte dënuar Durim Lushajn me 25 vite burgim, ndërsa Sali Lushajn me 18 vite burgim, por pas ankesës së mbrojtjes, rasti është kthyer në rigjykim.