Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.
Gjykata Supreme rikonstaton: Lirimi i Sali Mekajt i kundërligjshëm
Gjykata Supreme ka gjetur përsëri se ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj u lirua nga akuza me shkelje ligjore.
“Kolegji ri-konstatoi se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës janë marrë me shkelje të ligjit penal në pjesën që i përket të pandehurit S.M për veprën penale ushtrimi i ndikimit dhe të pandehurës V.G. për veprën penale shtytje në ushtrimin e ndikimit” thuhet në komunikatën e kësaj gjykatë.
Ky vendim i Gjykatës Supreme vjen pasi që rasti ishte kthyer në rivendosje në këtë gjykatë nga Gjykata Kushtetuese.
Kujtojmë se Gjykata Supreme në vitin 2019 kishte gjetur se ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj u lirua nga akuzat me shkelje ligjore.
Gjykata Supreme kishte konstatuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit janë marrë me shkelje të ligjit penal në pjesën që i përket të pandehurit Sali Mekaj për veprën penale ushtrimi i ndikimit dhe të pandehurës Vlora Gorani për veprën penale shtytje në ushtrimin e ndikimit .
Por që Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim që të kthejë në rivendosje te Gjykata Supreme çështjen e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj duke e aprovuar ankesën e këtij të fundit.
Ndërsa vendimi i sotëm i Supremes vjen pasi që rasti ishte kthyer në rivendosje nga Kushtetuesja.
Sali Mekaj akuzohej për veprën penale ushtrimi i ndikimit ndërsa Vlora Gorani akuzohej për veprën penale shtytje në ushtrimin e ndikimit.
Edhe tre te akuzuarit e tjerë V.G., M.S. dhe A.S. të akuzuar për veprën penale në bashkëkryerje dhënia e ryshfetit ishin liruar nga akuza që u vihej në barrë
Më shumë se pesë muaj pas vendimit të Gjykatës së Prishtinës, edhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore e cila Sali Mekaj dhe të tjerët i kishte gjetur të pafajshëm.
Ndërsa pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Prokuroria e Shtetit kishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.