
Precizohet aktakuza lidhur me transportin e armëve nga SHBA-ja në Kosovë
Në Gjykatën e Prishtinës, të hënën u mbajt seanca ndaj të akuzuarve për krim të organizuar, lidhur me transport të armëve nga SHBA-ja në Kosovë.
Të akuzuar në këtë rast janë Miftar Dobraj dhe Artan Kelmendi. Ndërsa Daniell Prenrecaj akuzohet për dhënien e ndihmës për kryerjen e veprës penale.
Po ashtu në këtë rast ishte i përfshirë dhe Albert Veliu, ish-vozitës i Konsullatës së Kosovës në New York, i cili u dënua për këto vepra nga një gjykatë në SHBA.
Kujtojmë se ky rast është kthyer në rigjykim për të tretën herë nga Gjykata e Apelit, dhe në herën e dytë të rigjykimit të akuzuarit janë dënuar me dënime më të larta.
Në seancën e sotme është bërë precizimi i aktakuzës, për të akuzuarin Daniell Prenrecaj, i cili akuzohej për veprën, krim i organizuar dhe tani ai akuzohet për veprën, ndihmë në kryerjen e veprës penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, këmbimi ose shitja e paautorizuar e armëve.
Të tre të akuzuarit, u deklaruan të pafajshëm.
Mbrojtja e të akuzuarit Miftar Dobraj, avokati Salih Mekaj tha se “me ndryshimin e aktakuzës është krijuar një situatë e paprecedent, lidhur me aktakuzën substancialisht të ndryshuar”.
Ndërsa mbrojtja e Artan Kelmendit, avokati Ilir Rashiti tha se ka shpërputhje mes veprimeve të të akuzuarve.
“Pasi aktakuza bazë ka ndryshu në tërësi, me ndryshimet e fundit kemi shpërputhje mes veprimeve të të akuzuarve. Mendoj se ka anomali dhe këto defekte mbesin në diskrecion shtesë”, deklaroi avokati Rashiti.
Avokatja Sadije Mjekiqi, e cila mbron të akuzuarin Daniell Prendrecaj, tha se kanë nevojë që të iu vihet në disponim fizik ajo pjesë e procesverbalit.
“Kur bëhen ndryshime të këtilla përmbajtësore të aktakuzës bazë, konsideroj se është shumë e drejtë që të na vihet në dsiponim fizik ajo pjesë e procesverbalit, në mënyrë që të kemi kohë për ta shiku çdo fjali të saj. Aq më tepër kur jemi për herë të tretë në rigjykim, ku çështja në vend se të thjeshtësohet, është bërë dhe më komplikuar e më konfuze dhe e paqartë për këto shkaqe”, tha avokatja Mjekiqi.
Prokurorja e rastit, Merita Bina-Rugova tha se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse dhe përfundimtare të thënë në seancat e kaluara.
“Mbetem në tërësi pranë fjalës hyrëse dhe përfundimtare, ashtu që janë elaboru të gjitha provat me të cilat vërtetohet gjendja faktike dhe përgjegjësia penale e të akuzuarve”, deklaroi prokurorja Bina-Rugova.
Ndërsa avokatja Mjekiqi shtoi se i mbrojturi i saj nuk ka pasur qëllim, njohuri e as dashje që të ia jap veturën për të bartur armë, por se ia ka dhënë për shërbime të familjes së Artan Kelmendit.
Ndërsa avokatët Salih Mekaj dhe Ilir Rashiti propozuan që të mbrojturve të tyre, të i hiqet masa e paraburgimit. propozim i cili, u refuzua nga trupi gjykues.
Seanca e radhës u caktua për datën 2 prill, në ora 9:30.
Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniel Prendrecaj po akuzohen nga prokuroria Speciale se duke vepruar si një grup i organizuar në krye me ish-vozitësin e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, Albert Veliu, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë.
Në muajin prill të vitit 2018 filloi gjykimi ndaj këtyre të akuzuarve, nën akuzën për krim të organizuar për trafikimin e armëve.
Në seancën e parë të 17 prillit 2019, Dren Mulla kishte pranuar fajësinë për veprën penale armëmbajtje pa leje dhe procesi gjyqësor ndaj tij ishte veçuar duke vazhduar me tre të akuzuarit e tjerë.
Gjykata e shkallës së parë me 20 korrik të vitit 2018 kishte shpallur fajtor të akuzuarit për veprat penale trafikim me armë dhe armëmbajtje pa leje.
Gjykata e Prishtinës e kishte dënuar grupin e organizuar me 12 vjet e 8 muaj burgim e 14 mijë euro gjobë, ndërsa individualisht u kishte shqiptuar këto dënime.
Gjykata e Prishtinës kishte dënuar Miftar Dobrajn me 5.6 vjet burgim dhe 7 mijë euro gjobë.
Artan Kelmendin e dënoi me 5.2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa Daniell Prenrecajn e dënoi me 2 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë, e të akuzuarin Dren Mulla e dënoi me 4 mijë euro gjobë.
Po ashtu, Gjykata kishte dhënë dënim plotësues konfiskimin e antitankut “Zola’’ me projektil 64 mm, 8 pushkëve automatike AK47, një pushkë ajrore, një revole ‘’GLOC’’, një Audi A3, shumën prej 1 mijë e 653 euro si dhe 3 telefona.
Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, pasi që Gjykata e shkallës së parë në hyrje të aktgjykimit ka përshkruar kualifikimin ligjor që e ka bërë gjykata e jo Prokuroria, pastaj dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin e tij, konstatimi i gjykatës ë shkallës së parë ishte në kundërshtim me provat materiale, gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin juridik të aktakuzës.
Ndërsa për të akuzuarin Dren Mulla është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë.