Supremja i vërteton fajësinë të akuzuarit për grabitje të 200 mijë eurove në Pejë
Përveç Gjykatës Themelore në Pejë dhe asaj të Apelit, edhe Gjykata Supreme e ka vërtetuar akuzën që ngarkonte Skifter Beqirajn për grabitje të mbi 200 mijë eurove.
Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të të pandehurit Skifter Beqiraj, i cili kërkonte qe vendimet gjyqësore të instancave më të ulëta të anuloheshin dhe çështja të kthehej në rivendosje.
Rasti ka të bëjë me një grabitje në një këmbimore të Pejës.
Për këtë akuzë, Gjykata në Pejë vitin e kaluar e dënoi Skifter Beqirajn me 6 vjet burgim dhe 3000 gjobë.
Mirëpo, Gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e prokurorisë ia kishte rritur dënimin më burgim në 7 vjet.
Avokati Salih Mekaj në kërkesën drejtuar Gjykatës Supreme ka pretenduar se gjykata nuk kishte dhënë arsye për shkaqet e refuzimit për administrimin e provave të certifikatave të kemikateve që janë përdorur në analizën e ADN-së dhe kalibrimit të laboratorit, certifikatat e akreditimit për ekspertët dhe personelit të cilët e kanë dhënë këtë analizë.
Mekaj gjithashtu pretendon se gjykata nuk ka dhënë arsye për refuzimin e mbrojtjes përkitazi me sigurimin e një ekspertize financiare, andaj ai vlerëson se gjykata nuk ka vërtetuar përmes ekspertizës shumën e të hollave të cilat janë marrë nga këmbimorja.
Lidhur me prejardhjen e njollave të gjakut, Mekaj argumenton se me shkeljen e procedurave për marrjen e tyre është cenuar kredibiliteti i ADN-së, ku sipas tij ka qënë e vetmja provë në të cilën gjykata e shkallës së parë e ka bazuar vendimin e saj.
Këto pretendime të mbrojtësi Mekaj, Gjykata Supreme i ka refuzuar si të pabazuara duke vërtetuar kështu vendimet e gjykatave të instancave më të ulëta.
Sipas vlerësimit të Supremes, aktgjykimi i shkallës së parë nuk mbështetet vetëm në ekspertizën e ADN-së siç pretendon mbrojtja, por aktgjykimi mbështetet edhe në dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë.
“Nga kjo ekspertizë shkencore, e që gjykata ia ka fal besimin, është vërtetua se në jaknen e të dëmtuarit Gazmend Gashi e cila është marr në shtëpinë e tij dhe është evidentua si dëshmia Ev#9, ka mbet gjurma e gjakut, e që pas analizimit të profilit të ADN, është vërtetua se Skifeter Beqiraj( # A..), nuk mund të përjashtohet si kontribuues i dytë i ADN-së”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Po ashtu Supremja e ka konsideruar si të pabazuar pretendimin e mbrojtësit së nuk është vërtetuar saktë shuma e të hollave të marra në këmbimore natën kritike.
“Gjykata shumat e të hollave dhe sendet e grabitura natën kritike, i ka konsideruar të vërtetuara si të përafërta me ato të deklaruara, e me sigurinë më të madhe, që tejkalojnë shumën mbi 5.000 euro e që kjo shumë është element bazë kualifikuese të veprës penale të grabitjes sikur që përcakton neni 329 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së”, thuhet tutje në arsyetimin e Supremes.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, pasi grabitësit, i akuzuari Beqiraj dhe 3 persona te paidentifikuar, e kanë shtrirë për toke të dëmtuarin Gazmend Gashi, e kishin tërhequr zvarrë viktimën deri në dhomën e pritjes
Dosja e prokurorisë sqaron se ata më pas ia kishin lidhur gojën dhe duart dhe me anë të goditjeve e kishin detyruar që të tregojë se ku e kishte fshehur çelësin e këmbimores nga e cila me pas ia kishin marrë të gjitha paratë.
Sipas prokurorisë, njëri nga anëtarët e grupit, me çelësa në dorë kishte shkuar të këmbimorja “Te Gazi”, dhe kishte arritur t’i marrë paratë në valuta të ndryshme, në vlerë mbi 223 mijë euro.
Aktakuza specifikon se grabitësit arritën t’ia marrin Gazmend Gashit 146,490.00 franga zvicerane, 27,433.00 dollarë amerikanë, 52,090.00 euro, 1,237.23 euro në valuta të ndryshme, mbi 200,000 lekë si dhe ari në vlerë prej 15,000.00 euro.
Apeli ia ashpërson dënimin Skifter Beqirajt për grabitjen e mbi 200 mijë eurove