Ndërtesa në Hagë ku është vendosur Gjykata Speciale

Gjykata Speciale e Kosovës Ende pa Buxhet

Gjykata e re Speciale e Kosovës po pret ende miratimin përfundimtar nga deputetët në Hollandë, ku do të jetë edhe baza e saj, dhe të mbërrijë financimi i saj nga BE-ja para se ajo të fillojë punën, ka mësuar BIRN.

Qeveritë e Kosovës dhe Holandës nënshkruan një marrëveshje në janar, e cila do të bëjë të mundur sistemimin e dhomave gjyqësore dhe zyrës së prokurorit në Hagë.

Por para se të fillojë punën e saj, gjykata duhet të ratifikohet nga deputetët holandezë dhe nuk është ende e qartë se kur do të jetë e pranishme në rendin e ditës të parlamentit holandez kjo çështje, edhe pse BE-ja pret që ajo të miratohet deri në fund të vitit 2016. Parlamenti holandez nuk i ktheu përgjigje kërkesave për sqarim.

Gjykata do të gjykojë luftëtarët e UÇK-së për krime të dyshuara të kryera nga viti 1998 deri në vitin 2000.

Burime të afërta me gjykatën thanë për BIRN se aktakuzat e para mund të priten në fund të vitit 2016 ose në fillim të vitit 2017.

Gjykata do të përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

Baza e saj do të jetë në ish-ndërtesën e Europolit në Hagë, e cila sipas burimeve të BIRN, po modifikohet në mënyrë që të mund të mbajë seancat gjyqësore.

Zyra e BE-së në Kosovë, tha për BIRN se “përgatitjet intensive po vazhdojnë ende” për miratimin e buxhetit për gjykatën.

“Pritet që kjo gjë do të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2016”, tha zyra e BE-së.

Buxheti duhet të financohet nga vendet e BE-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara, por shuma e përgjithshme nuk është konfirmuar ende deri tani.

Shumë besojnë se politikanë të lartë të Kosovës do të dalin në bankën e të akuzuarve, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, ish-kreun politik të UÇK-së. Një raport i vitit 2011 nga Këshilli i Evropës ngriti akuza serioze kriminale kundër Thaçit, të cilat ai i mohoi ashpër.

Por ligji i Kosovës i cili mundësoi themelimin e gjykatës së re, e bën të qartë se asnjë zyrtar nuk është jashtë caqeve për t’u ndjekur penalisht.

“Qëndrimi zyrtar i çdo personi të akuzuar, përfshirë kreun e shtetit, atë të qeverisë apo ndonjë zyrtar qeveritar, nuk duhet ta lirojë një njeri të tillë nga përgjegjësia penale apo të zbusë dënimin ndaj tij,” thotë ai.

Gjykata u themelua pasi Task Forca Speciale Hetimore e BE-së kreu një hetim trevjeçar për pretendimet në raportin e Këshillit të Evropës se anëtarë të UÇK-së kryen një sërë krimesh midis vitit 1998 dhe 2000.

Raporti nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty pohoi se këto krime përfshinin rrëmbime, torturim dhe trafik organesh.

Si rezultat i hetimeve, grupi i punës i BE-së tha se ishte në gjendje të padiste të dyshuar të nivelit të lartë sapo gjykata e re të fillojë punën e saj.

Që atëherë, BE-ja dhe SHBA-ja e kanë shtyrë qeverinë e Kosovës të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjet.

Ata besojnë se gjykata është e nevojshme për shkak se sistemi gjyqësor i Kosovës nuk do të ishte në gjendje apo i gatshëm të ndiqte penalisht si duhet ish-personalitete të larta të UÇK-së, dhe misioni i sundimit të ligjit të BE-së, EULEX, nuk ka kapacitet për ta bërë këtë.

Megjithatë gjykata e re në Kosovë shihet gjerësisht si një fyerje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për liri nga sundimi serb.

Gjykata do të trajtojë pretendimet se luftëtarët e UÇK-së kanë qenë të përfshirë në vrasje, rrëmbime burgosje të paligjshme dhe persekutim të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohej se ishin bashkëpunëtorë me regjimin serb apo kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1998-1999.

Ajo do të përbëhet nga dy institucione kryesore – gjykata dhe zyra e regjistrimit. Gjykata do të përbëhet nga dhoma e gjykatës së shkallës së parë, ajo e apelit, ajo e lartë dhe ajo kushtetuese. Të gjitha panelet gjykuese në të gjitha nivelet e gjykatave do të përbëhen nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë.

Zyra e regjistrimit do të përfshijë një zyrë mbrojtjeje, zyrën e përfaqësimit të viktimave e cila do të përfaqësojë interesat e viktimave, një zyrë për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve, një njësi menaxhimi paraburgimi dhe një zyrë për avokatin e popullit. Gjuhët zyrtare të gjykatës do të jenë gjuha shqipe, serbe dhe ajo angleze.

Zyra e prokurorisë speciale do të jetë e pavarur dhe pritet që kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetimore të BE-së, David Schëendiman, të fillojë punë sapo ajo të ngrihet,

Prokuroria do të jetë gjithashtu oficerët e saj policorë me autoritetin për të ushtruar pushtetin që ka policia e Kosovës.