Gjykata lejon vazhdimin e ndërtimit të shumëkatëshes në Lagjen e Muhaxherëve

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dhënë të drejtë kompanisë ndërtimore “Driloni Com” që të vazhdojë punën në ndërtimin e objektit shumëkatësh në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur Besnik Berisha, avokat i kompanisë ndërtuese.

KALLXO.com shkroi dje që ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Edhe pasi çështja ishte kthyer ne rigjykim Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka refuzuar kërkesën Arsim Gllogut për caktimin e masës së sigurisë dhe ka lejuar që objekti të ndërtohet.

https://kallxo.com/apeli-kthen-ne-rigjykim-ankesen-per-demtim-te-shtepise-nga-ndertimet-ne-fqinjesi/

Avokati i kompanisë “Driloni Com”, Besnik Berisha, në një prononcim për KALLXO.com ka treguar se kanë marrë vendimin nga Gjykata Themelore e Prishtinës se është refuzuar masa e sigurisë ndaj objektit në fjalë.

“Pretendimet që kompania “Driloni Com” i ka shkaktuar dëme ankuesit i ka hedhur poshtë Gjykata duke u bazuar në mendimet e ekspertëve profesionalë. Merreni aktvendimin e fundit të Gjykatës ku është e sqaruar gjithçka se kjo kompani s’i ka shkaktuar dëme askujt”, tha Berisha.

Arsim Gllogu po pretendon se nga një ndërtim i lartë afër pronës së tij në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë  iu ka dëmtuar shtëpia dhe biznesi në të cilin ai ishte duke punuar dhe banuar deri më datën 8 dhjetor 2017, datë kjo kur Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim e Komunës së Prishtinë i rekomanduan familjes Gllogu që ta lirojë shtëpinë pasi që e njëjta rrezikon të shembej.

https://kallxo.com/rreshqet-dheu-ne-lagjen-e-muhaxhereve-rrezikohen-shtepite/

Lajmin se Gjykata Themelore për të dytën herë e ka refuzuar masën e sigurisë e ka konfirmuar edhe avokatja e Arsim Gllogut, Albana Kelmendi.

“Ne sot e kemi pranuar vendimin që është refuzuar masa e sigurisë që ne e kemi bo për objektin që është duke u ndërtuar afër familjes Gllogu. Mirëpo kemi edhe padi tjera ndaj kësaj kompanie për kompensimin e dëmit”, tha Kelmendi.

Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili është i dyti pasi që kjo çështje ishte kthyer në rigjykim, thotë së kompania “Driloni Com” mund të vazhdojë me ndërtimin e objektit dhe se duke u bazuar në mendimet e ekspertëve të pavarur nuk paraqet rrezik për shtëpinë e familjes Gllogu.