Foto: Kallxo.com

Gjykata dënon dy të akuzuar në rastin e njehsorëve ‘Kohler’

Gjykata Themelore në Prishtinë ka deënuar me nga gjashtë muaj burg dy të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Kohler’-ët.

Zyrtarja e Metrologjisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Vjollca Ajvazi, si dhe zyrtari i KEDS-it, Avni Alidemaj, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht në lidhje me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar ndërsa për veprën penale mashtrim i bleresve në mungesë të provave janë liruar nga aktakuza.

Në emër të paushallit gjyqësor secili është i obliguar t’i paguajë gjykatës nga 200 euro.

Në seancën e kaluar ishte dhënë fjala përfundimtare gjatë së cilës prokurori i rastit Hivzi Bajraktari ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj Drita Hamitit.

http://kallxo.com/gjykimi-per-njehsoret-kohler-avokati-e-quan-te-pashpirt-prokurorine/

Në fjalën përfundimtare prokurori Bajraktari tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se Drita Hamiti e ka kryer veprën penale e cila i vihej në barrë prandaj të njëjtën e liroi nga aktakuza.

Kurse sa i përket dy të akuzuarve të tjerë, sipas prokurorit gjatë shqyrtimit gjyqësor janë prezantuar prova dhe dëshmi të mjaftueshme me të cilat është vërtetuar se dy të akuzuarit Vjollca Ajvazi dhe Avni Alidemaj i kanë kryer veprat penale – keqpërdorimi i detyrës zyrtare si dhe mashtrimi i blerësve, prandaj gjykatës i ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen konform ligjit.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tanimë i ndjeri Blerim Sokoli, është akuzuar se në bashkëveprim dhe duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, u ka mundësuar palëve të interesit KEDS dhe atyre “Kohler” të përfitojnë dobi në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit “AEL. TF.04-1” të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti akuzohej se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit e dinin se këta njehsorë matnin në mënyrë të pasaktë.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.