Arkiv

Rasti ‘Kohler’, Apeli e liron zyrtarin e KEDS-it ndërsa e kthen në rigjykim çështjen ndaj zyrtares së MTI-së

Me aktgjykimin e datës 10 prill 2019, Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave lidhur me rastin e njohur si ‘Kohler’ ka marrë aktgjykim me anë të të cilit zyrtarin e KEDS-it, Avni Alidemajn e ka liruar nga akuza ndërsa çështjen penale ndaj zyrtares së Metrologjisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Vjollca Ajvazi e ka kthyer në rigjykim.

Me 28 maj të vitit të kaluar Gjykata e Prishtinës kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve Avni Alidemajt dhe Vjollca Ajvazit.

Zyrtarja e Metrologjisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Vjollca Ajvazi, si dhe zyrtari i KEDS-it, Avni Alidemaj, ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht në lidhje me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa për veprën penale mashtrim i blerësve në mungesë të provave Gjykata të dy i kishte liruar nga aktakuza.

Në këtë proces gjyqësor e akuzuar kishte qenë edhe Drita Hamiti, por në fund të procesit gjyqësor, gjatë fjalës përfundimtare prokurori i rastit Hivzi Bajraktari kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj Hamitit.

Në vendimin e fundit të Apelit thuhet se pas shqyrtimit të ankesave të palëve, kolegji prej tre gjykatësve ka gjetur se ankesa e Prokurorisë lidhur me të akuzuarin Avni Alidemaj është e pa bazuar, ndërsa ndaj të akuzuarës Vjollca Ajvazi tani për tani është jo lëndore, duke gjetur kështu të bazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Vjollca Ajvazi e Avni Alidemaj.

Sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës së shkallës së parë lidhur me të akuzuarën Vjollca Ajvazi është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat si të tilla kanë ndikuar në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së dytë, Gjykata e Prishtinës nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare si dhe nuk ka paraqitur në mënyrë të detajuar arsyet për çdo pikë të aktgjykimit gjegjësisht arsyet faktike dhe juridike e që ka të bëjë më analizën e çdo prove veç e veç, përfshirë tërësinë e tyre dhe raportin ndërmjet provave duke mos shprehur qartë se cilat prova dhe për çfarë arsyesh i ka pranuar ose nuk i ka pranuar.

Sipas po këtij aktgjykimi, lidhur me të akuzuarin Avni Alidemaj nga shkresat e lëndës Apeli vlerëson se asnjëra nga provat të cilat janë administruar në shqyrtimin kryesor nuk ka vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar dhe shpallur fajtor nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

“Dispozitivi i aktgjykimit por edhe arsyetimi nuk përshkruan asnjë veprim inkriminues të akuzuarit e që do të formonte elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë si dhe të njëjtit i mungon pala e dëmtuar, vlera e dëmit me anë të keqpërdorimit të supozuar dhe mënyra se si i paska mundësuar me veprim e mosveprim përfitim të kundërligjshëm kompanisë KOHLER dhe KEDS”, thuhet në këtë vendim të Gjykatës së Apelit.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt ishte ngritur nga Prokuroria e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tanimë i ndjeri Blerim Sokoli, është akuzuar se në bashkëveprim dhe duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, u ka mundësuar palëve të interesit KEDS dhe atyre “Kohler” të përfitojnë dobi në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit “AEL. TF.04-1” të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i ka rekomanduar Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti akuzohej se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit e dinin se këta njehsorë matnin në mënyrë të pasaktë.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.