Gjykimi për njehsorët "Kohler" - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për njehsorët ‘Kohler’, avokati e quan ‘të pashpirt’ Prokurorinë

Në gjykimin për njehsorët e tipit “Kohler” ndaj dy zyrtareve të Metrologjisë, Vjollca Ajvazi e Drita Hamiti, si dhe zyrtarit të KEDS-it, Avni Alidemaj, sot u dha fjala përfundimtare.

Gjatë fjalës përfundimtare prokurori i rastit Hivzi Bajraktari hoqi dorë nga ndjekja penale për të akuzuarën Drita Hamiti, ndërsa për dy të akuzuarit e tjerë Vjollca Ajvazi dhe Avni Alidemaj deklaroi se me rastin e dëgjimit të dëshmitareve dhe pas administrimit të provave është vërtetuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale ashtu si u vihen në barrë.

“Pas disa seancave gjyqësore me rastin e dëgjimit të dëshmitarëve dhe pas administrimit të provave është vërtetuar se të akuzuarit Avni Alidemaj dhe Vjollca Ajvazi i kanë kryer veprat penale ashtu si u vihen në barrë, ndërsa për të akuzuarën Drita Hamiti nuk u vërtetua se e  njëjta ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë andaj për të njëjtën tërhiqem nga ndjekja”, tha prokurori Bajraktari.

Sipas prokurorit fakti se dy të akuzuarit Vjollca Ajvazi dhe Avni Alidemaj i kanë kryer veprat penale ashtu siç u vihen në barrë mund të vërtetohet edhe me dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve të cilët kanë deklaruar se pas instalimit të njehsorëve nga ana e KEDS-it shpenzimet e energjisë elektrike kanë qenë më të mëdha dhe se pas ankesës nga ana e të dëmtuarve më pas zyrtarët e KEDS-it ua kanë ndërruar këta njehsorë.

Prokurori Bajraktari tha se mbrojtjen e të pandehurve e parasheh si tërësisht të pabazuar.

Sipas prokurorit gjatë shqyrtimit gjyqësor janë prezantuar prova dhe dëshmi të mjaftueshme me të cilat është vërtetuar se Vjollca Ajvazi dhe Avni Alidemaj i kanë kryer veprat penale – keqpërdorimi i detyrës zyrtare si dhe mashtrimi i blerësve, prandaj deklaroi se prokuroria mbetet pranë aktakuzës dhe propozon që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen konform ligjit.

Po ashtu prokurori kërkoi nga trupi gjykues që të obligojë kompaninë KEDS që t’i tërheq të gjithë njehsorët e tipit AEL. TF.04-1 të firmës “Kohler”, dhe qytetarëve t’u vendosen njehsorë të certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare.

Mbrojtësi i të akuzuarës Vjollca Ajvazit, avokati Feriz Gërvalla fjalën përfundimtare e kishte përgatitur me shkrim dhe të njëjtën ia dorëzoi Gjykatës.

Ndërsa vetë e akuzuara Vjollca Ajvazi në fjalën përfundimtare tha se sipas mendimit të saj ajo është akuzuar në mënyrë të paligjshme pasi që ajo nuk ka punuar asgjë jashtë ligjit dhe detyrave të përshkruara me kontratë të punës.

“Unë e kam bërë përshkrimin teknik të dokumentacionit i cili i është përcjell drejtorit ndërsa vendimmarrja ka qenë vetë e drejtorit. Mbes me shpresë që trupi gjykues do të bëjë vlerësimin e duhur dhe do të marrë vendim të drejtë. Mendoj se nuk kam punuar asgjë jashtë detyrave të punës dhe kërkoj nga trupi gjykues t’i shqyrtojë të gjitha provat dhe të lirohem nga akuza”, tha Ajvazi.

Kurse mbrojtësi i Avni Alidemajt, avokati Besnik Berisha, Prokurorinë e quajti “të pashpirt” e të mbrojturin e tij “kurban” të Prokurorisë.

“Duke dëgjuar prokurorin e rikonfirmova bindjen time se sinqerisht këta janë të pashpirt por jo të padijshëm. Këta dinë me i keqinterpretu provat vetëm e vetëm që këtyre t’u shënohet një plus si aktgjykim dënues për dikë dhe vetëm e vetëm që dikush të bëhet kurban i ashtuquajtur i neglizhencës së tyre për të çuar drejtësinë në vend”, tha Berisha.

Sipas avokatit i mbrojturi i tij i ka kryer të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e tij dhe se vetë Avni Alidemaj ishte ai i cili kishte kërkuar nga Ministria që të suspendoheshin këta njehsorë edhe ata të cilët nuk kanë pasur probleme vetëm e vetëm që të mos dëmtohet askush.

“Avni Alidemaj e ka kryer punën e tij, ka dalë dhe ka përmbushur obligimet e tij. Cili është ai, si e ka emrin, kush është ai që u provua me një ekspertizë të caktuar që i është shkaktuar dëm? Asnjë!”, deklaroi Berisha.

Berisha gjithashtu tha se sipas tij mashtrimin e qytetarëve nuk e kanë bërë të akuzuarit por e ka bërë Prokuroria me anë të ngritjes së kësaj aktakuze.

Ai i kërkoi Gjykatës që me marrjen e vendimit në lidhje me këtë çështje në njëfarë forme t’i japë leksion Prokurorisë.

“Mendoj që fjala e Gjykatës duhet të jetë jo vetëm të vërë drejtësi por të japë leksion për këtë Prokurori edhe nëse këta jetojnë me norma e pika për të plotësuar aktakuzën. Këta sot besojnë në ju dhe të vetmen shpresë e kanë në ju të tre sot, këta nuk bëjnë ndjekje objektive, këta mendojnë se duhet me e përmbledh, me e ndërru, me e përshtatë çfarëdo prove se mos dikush po habitet e po e dënon dikë pa faj”, deklaroi avokati Besnik Berisha.

Ndërsa i akuzuari Avni Alidemaj tha se ai asnjëherë nuk ka marrë pjesë në ndonjë komision për licencimin e këtyre njehsorëve dhe se ai nuk ka pasur pozitë ekzekutive dhe nuk e ka mashtruar asnjëherë askënd gjatë punës së tij në KEDS.

“Asnjëherë nuk kam qenë pjesë e asnjë komisioni i cili ka licencuar njehsor të ligjshëm apo të jashtëligjshëm, asnjëherë në punën time nuk e kam mashtruar askënd në hierarkinë e KEDS-it, nuk kam pasur pozitë ekzekutive. Të gjitha ato mundësitë që m’i ka lejuar vendi i punës i kam shfrytëzuar. Kanë qenë puna dhe veprimet e mia që kanë bërë që ish drejtori i Metrologjisë t’i ndalojë njehsorët me probleme andaj kërkoj nga ju trup gjykues të më lironi nga aktakuza e cila më është vënë padrejtësisht”, tha Alidemaj.

Ky gjykim është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.