Nga gjykimi i rastit të 'Kohler'-ëve. Foto: Kallxo.com

Mungesa e Avokatit Shtyn Gjykimin e Shënjestruar për Liberalizim të Vizave

Në mungesë të mbrojtësit të të akuzuarit Avni Alidema, avokatit Besnik Berisha, është shtyrë për të disatën herë seanca gjyqësore në rastin e njësoreve elektrikë “Kohler”.

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti tha se avokati Berisha i është drejtuar gjykatës me një parashtresë me anë të së cilës ka kërkuar që të shtyhej seanca me arsyetimin se i është dashur që të udhëtonte urgjentisht jashtë shtetit në një udhëtim zyrtar.

Madje ai kishte thënë se e kishte konsideruar edhe mundësinë e zëvëndësimit por një gjë e tillë kishte rezultuar e papranueshme nga klienti i tij.

Në lidhje me mungesën e avokatit Berisha si dhe shtyrjen e kësaj seance disa herë me radhë, kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti deklaroi se nuk do të tolerojë më shtyrje të tilla të seancave gjyqësore në këtë rast pasi që tha se kjo lëndë është në mesin e lëndëve me prioritet për liberalizimin e vizave.

“Lënda “Kohler” është në grupin e lëndëve me LV të shënjestruara ku kërkon një prioritet sa i përket shqyrtimit të kësaj lënde. Kjo kërkohet jo vetëm nga palët por edhe nga institucionet”, tha gjykatësi Hoti.

“Është e patolerueshme që trupi gjykues të lejoj shtyrje të tilla të seancës. Krejt lëndët e tjera presin, kjo nuk pret”, tha gjyqtari Shashivar Hoti.

Kjo nuk është hera e parë që shtyhet një seancë për këtë rast.

http://kallxo.com/avokati-mungon-ne-gjykimin-per-njehsoret-kohler/

Të akuzuarit në këtë gjykim janë Vjollca Ajvazi, Drita Hamiti dhe Avni Alidemaj.

Ajvazi e Alidemaj, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), po akuzohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me njehsorët elektrikë “Kohler”, përderisa Hamiti akuzohet për ndihmë në kryerje të veprës penale.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-per-njehsoret-kohler/

Pjesë e aktakuzës në këtë rast ishte edhe Blerim Sokoli që akuzohej se “si drejtor i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëveprim dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me dashje tejkaloi kompetencat e veta duke u mundësuar palëve të interesit KEDS dhe ‘Kohler’ të përfitojnë dobi kundërligjshëm”.

Sokoli nuk është më pjesë e shqyrtimit gjyqësor, pasi ka vdekur.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit AEL. TF.04-1 të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Blerim Sokoli ngarkohet se  lejoi instalimin e këtij lloji të njehsorit duke ditur nga terreni problemet e shfaqura gjatë matjes nga këta njehsorë.

Në aktakuzë thuhet se jo vetëm Sokoli, por edhe të tjerët dinin për matjet e gabuara të këtyre njehsorëve.