Dita e Dëshmorëve të Mitrovicës - Foto: Komuna e Mitrovicës

FOTO: Në Mitrovicë u Shënua Dita e Dëshmorëve

Me aktivitete të shumta u shënua 6 qershori – Dita e Dëshmorëve të Mitrovicës.

Për nder të kësaj dite qyteti i Mitrovicës është stolisur me flamuj kombëtarë dhe ata të Kosovës, ndërsa janë mbajtur edhe një varg aktivitetesh.

Po ashtu në të gjitha shkollat e Mitrovicës, ora e parë u është kushtuar dëshmorëve të komunës, ku mësimdhënësit kanë folur për jetën dhe veprën e dëshmorëve, si dhe për luftën e lavdishme të UÇK-së.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe përfaqësues të institucioneve tjera lokale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe sot në varrezat e dëshmorëve në Shipol dhe kanë vendosur buqeta lulesh.

Kurse në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” është mbajtur Akademia Përkujtimore kushtuar 76 dëshmorëve nga komuna e Mitrovicës, të rënë në luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Bahtiri  me rastin e fjalës së tij para familjareve, bashkëluftëtarëve të dëshmorëve, qytetarëve të shumtë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme lokale e në nivel vendi, e vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“Për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, sot është një ditë e veçantë. Është ditë e veçantë për arsye se po i përkujtojmë dhe nderojmë bijtë tanë më të devotshëm, ata të cilët për lirinë që ne sot po e gëzojmë, për shtetin e Kosovës që ne sot po e ndërtojmë, për demokracinë që sot po e zhvillojmë dhe për një të ardhme më të mirë për ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh, dhanë më të shtrenjtën që kishin, dhanë jetën e tyre. E përtej kësaj njeriu nuk ka më diç për të dhënë”, ka thënë Bahtiri.

Gjithashtu Bahtiri theksoi se ky përvjetor po shënohet në një situatë shumë më të volitshme politike e të sigurisë në komunë, ku institucionet komunale po bëjnë përpjekje maksimale, të suksesshme për të çuar në vend amanetin e dëshmorëve, e që krahas lirisë dhe pavarësisë së vendit, ishte edhe zhvillimi i vendit, përmirësimi i kushteve të jetesës, hapja e perspektivës për një jetë sa më të dinjitetshme.

Në akademi folën edhe Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kosovës dhe kryetarja e shoqatave të dala nga lufta, Alije Tmava, ndërsa nxënësit e Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko” kishin përgatitur një program kulturo-artistik.