FOTO: Gjendje e rëndë në tualetet e gjimnazit të Mitrovicës

Rezervuari i ujit i varur, ‘muri’ ndarës i shqyer, guaskat dhe dyshemeja të papastruara…

Kjo është gjendja në tualetet e gjimnazit “Frang Bardhi” të Mitrovicës, sipas disa fotografive të dërguara në adresë të KALLXO.com nga disa nxënës.

E gjendjen e rëndë në tualete e pranon drejtori i shkollës, Ismet Ferizi.

Në një deklaratë për KALLXO.com, drejtori Ferizi thotë se banjot në shkollë janë rregulluar disa herë, por prapë kanë probleme.

“Ne jemi shkollë e madhe dhe punojmë me dy ndërrime. Hapësirë kemi pak. Njëherë i kemi rregullu disa tualete që kanë qenë të dëmtuara, tash ka mbetur edhe një kontingjent ende pa u kry. Por, për nevojat momentale ato kryejnë punë”, thotë Ismet Ferizi.

Sipas drejtorit, do të kishte qenë mirë të rregullohen edhe tualetet që gjenden në fund të korridorit.

Këto tualete ndodhen brenda objektit të shkollës, por drejtori Ferizi ka thënë se të njëjtat ka vite që nuk përdoren.

Kjo situatë, sipas drejtorit të gjimnazit, është pasojë e ndërtimeve që po bëhen rreth shkollës.

“Këto ndërtime kanë bërë disa pengesa në kanalizim edhe nuk na kanë rehatu asnjëherë si duhet. Si duket duhet një ndryshim rrënjësor tash edhe rreth lidhjeve në qytet. Ka vite që ato nuk janë në përdorim por na mjaftojnë këto që i kemi“, ka shtuar Ferizi për www.kallxo.com.

Drejtori ka thënë se Drejtoria e Arsimit pas kërkesës së tyre ka ndërhyrë dhe ka rregulluar disa banjo që sipas tij nuk kanë qenë në rregull dhe vitin e kaluar i kanë lëshuar të reja.

Kurse, Iset Beka, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë, ka thënë se ajo se çfarë është brenda shkollës, është nën përkujdesje të organeve të vetë shkollës dhe se nëse do të ketë nevojë për ndihmë Drejtoria do t’i ndihmojë.

“Realisht aty është një drejtor shkolle, është një zëvendësdrejtor shkolle. I kanë të gjitha organet e shkollës. Nëse ata nuk merren me to atëherë kush ka me u marrë. Ne i kemi dërgu disa zot shtëpie atje dhe nëse nuk ju shkon puna mirë atëherë duhet me i ndërru ata. Ata e kanë buxhetin e shkollës dhe nëse nuk iu përmbush kërkesat ne si Drejtori e Arsimit do t’i mbështesim. Ata e kanë një numër të madh të nxënësve. Ne i kemi mbështet kur ka qenë pushimi, e kemi bërë gëlqerosjen, kemi bërë inventarin brenda në klasë dhe prapë kemi me dërgu nëse është e nevojshme“, tha Beka për kallxo.com.