Fondet e BE-së si Shpresë për Zhvillim

Programi tregon rrugën se si duhet të veprohet në sektorë të caktuar të ekonomisë për të përfituar nga fondet e Instrumentit të Paraanëtarësimit (IPA) të Bashkimit Evropian.

Gjatë një tryeze ku u diskutua për Programin e Reformave në Ekonomi, ministri i Financave Avdulla Hoti vitin e kaluar e cilësoi të rëndësishëm për integrimet evropiane, pasi gjatë tij u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

“Viti 2015 është hap i rëndësishëm drejt integrimeve evropiane ku përmes Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA) hapet mundësia jo vetëm për zgjerim të dalogut politik, por edhe mundësia për zhvillim ekonomik. Është hera e dytë që qeveria përgatit një dokument të tillë ku bëjnë pjesë të gjithë aktorët ekonomikë të Kosovës,  me kënaqësi pres dorëzimin e tij te Komisioni Evropian,” tha Hoti.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami dokumentin për reforma në ekonomi e cilësoi shumë të rëndësishëm dhe argument për marrjen e fondeve nga Instrumentet e Paraanëtarësimit (IPA) nga BE-ja.

“Ne tani siç e dini jemi në fazën e negocimit me BE-në për fondet e Instrumenteve të Paraanëtarësimit (IPA) për 2016.  Është mirë që gjatë avokimit për t’i marrë këto fonde në shfrytëzim  të thirremi pikërisht në këtë dokumente dhe në këto masa në mënyrë që të jemi më të fortë dhe më argumentues karshi institucioneve për t’i marrë këto fonde,” tha Bajrami.

Ministri i Administratës Publike (MAP) Mahir Yagcilar potencoi se edhe ministria të cilin ai e drejton e ka përgatitur strategjinë e modernizimit të administratës publike si parakusht për antarsimin në BE.

“Në procesin e paraanëtarësimit në BE janë tri kërkesa kryesore: sundimi i ligjit, qeverisja ekonomike dhe administrata publike. Në këtë aspekt edhe MAP-i ka hartuar një strategjji të modernizimit të administratës publike, andaj duhet të ekzistojë një mekanizëm që të fillojë këto reforma t’i implementojë,” tha Yagcilar.

Programi i reformave ekonomike javën e ardhshme do të dorëzohet në qeveri për miratim dhe pas miratimit dorëzohet në Komisionin Evropian.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi nismën për nënshkrimin e marrëveshjes financiare IPA 2015 në vlerën e 81 milionë eurove, 78 nga të cilët do të jenë të fondeve të Instrumentit të pasraanëtarësimit të BE-së.

http://kallxo.com/miratohet-nisma-per-marreveshje-78-milioneshe-me-be-ne/