Pamje nga seanca - Foto: KALLXO.com

Fillon Rigjykimi për Narkotikë të Rrezikshëm

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar rigjykimi në rastin e Meriton Zogianit, i cili më 2012 nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë akuzohej se ka kryer veprën penale blerje, posedim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotrope si dhe veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Pasi prokurorja Bukurie Gjonbalaj e lexoi aktakuzën, i akuzuari nuk e pranoi fajësinë.

Në fjalën e saj hyrëse prokuroria tha se në bazë të provave që i ka propozuar prokuroria do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit.

“Kërkoj administrimin e provave në të cilat prokuroria e ka mbështetur aktin akuzues dhe gjatë administrimit të provave do të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, tha Gjonbalaj.

Avokati Ibrahim Dobruna, mbrojtës i të akuzuarit, deklaroi para trupit gjykues se i mbrojturi i tij nuk e ka pranuar fajësinë dhe se provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë janë të pabazuara.

“Pas leximit të aktakuzës i akuzuari nuk e ka pranuar veprën penale ngase përshkrimi faktik i veprës penale nuk përputhet me cilësimin juridik të saj. Provat e propozuara nga ana e Prokurorisë janë të papranueshme dhe të njëjtat janë marrë me shkelje ligjore dhe ato duhet veçuar sepse me to nuk mund të mbështetet marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe e të akuzuarve”, tha Dobruna.

Dobruna gjithashtu shtoi se disa sende që janë konfiskuar për këtë rast janë të familjarëve të të akuzuarve e jo të vet Meriton Zogianit.

“Gjatë këtij procesi do të konfirmojmë se parat e konfiskuara në shtëpinë e Bajram Zogianit janë para të prindërve të Meritonit e jo të vet Meritonit, ne do të provojmë se vetura ‘Golf’ e konfiskuar përkohësisht nga Policia sipas urdhrit të Prokurorisë nuk është pronë e tij por është pronë e motrës së tij, Fortesa Zogiani, e të cilën veturë e kishte marrë Meritoni për ta shfrytëzuar kur Fortesa nuk ishte në shtëpi”, deklaroi Dobruna.

Në shqyrtimin e radhës u ftuan që të dëgjohen si dëshmitarë familjarët e të akuzuarit Bajram, Sanije dhe Fortesa Zogiani.

Sipas aktakuzës Zogiani në vitin 2012 kishte transportuar substanca narkotike me qëllim shitjeje.

Gjithmonë sipas aktakuzës pas kontrollimit nga ana e Policisë i akuzuari ka dashur të ikte, duke e hedhur një qese me narkotikë në sasi të përgjithëshme prej  2.675 gramë, e po ashtu në ikje e sipër e ka gjuajtur një armë automatike.

Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në Gjykatën Themelore vetëm për të vendosur edhe njëherë për veprën penale blerja, posedimi dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotrope.

Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2013 kishte marrë aktgjykim ku për këtë vepër penale e kishte dënuar Zogianin më një vit e gjashtë muaj burg dhe 1,000 euro gjobë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 14 qershor.