Dita e Pavarësisë

Festat e Zgjatura të Punëtorëve në Vendin e Papunësisë

Kosova ka 11 festa zyrtare, ndërsa sipas ligjit nëse ndonjëra prej tyre bie në ditë vikendi, pushohet në ditën e parë të punës.

“Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, thuhet në nenin 4 të Ligjit për Festa Zyrtare.

Sipas këtij ligji të gjitha festat kanë nga një ditë pushim përveç Vitit të Ri i cili festohet me 1 dhe 2 janar.

Për shkak të nenit 4 vitin e kaluar u humbën tri ditë, ndërsa sivjet do të humben katër ditë pune.

Për Ditën e Kushtetutës nuk po punohet sot, të hënën më 11 prill edhe pse përvjetori i hyrjes në fuqi të kushtetutës ishte para dy ditësh, më 9 prill, por kjo ditë qëlloi të jetë e shtunë.

Pushim të hënën e 28 marsit pati edhe për festën e pashkëve katolike që ra të dielën më 27 mars.

Pas Ditës së Kushtetutës dhe festës së pashkëve, pushim do të ketë të hënën e 2 majit për Ditën Ndërkombëtare të Punës dhe pashkët ortodokse të cilat shënohen më 1 maj.

Kurse dita e katërt e fituar e pushimit sivjet do të jetë e hëna e 26 dhjetori për krishtlindjet katolike të 25 dhjetorit.

Vitin e kaluar qytetarët patën fituar tri ditë pushim si rezultat i festave të Ditës së Evropës, pashkëve katolike dhe atyre ortodokse që ranë në vikend.

Në vitin 2015 në Kuvendin e Kosovës nuk pati kaluar Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare, pasi vetëm 50 deputetë votuan për, 20 e kundërshtuan, ndërsa 2 abstenuan.

http://kallxo.com/projektligji-per-festa-zyrtare-nuk-kalon-ne-kuvend/

Gjatë kësaj seance ishte paralajmëruar heqja e pushimit për Ditën e Evropës- 9 Majin dhe Ditën e Kushtetutës-  9 Prillin.

Gjithashtu nga disa deputetë qe kërkuar që ditët e komunitetit egjiptian, kroat dhe malazias të hyjnë në kuadrin e ditëve memoriale si dhe që 28 Nëntori të jetë festë zyrtare.

Vitin e kaluar në lidhje me pushimin për Ditën e Evropës shefi i Zyrës për Shtyp dhe Informim në EULEX, Roland Bles i pati thënë KALLXO.com se kjo është një çështje e Kosovës.

“Është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës për të vendosur për festat zyrtare, nuk është përgjegjësi e EULEX-it,” tha atëherë Bles.

http://kallxo.com/kosova-pushon-e-eulex-i-punon-per-diten-e-evropes/

Shtetet evropiane dhe misioni i tyre për sundim të ligjit në Kosovë punojnë në Ditën e Evropës, ndërsa në Kosovë në këtë ditë nuk punohet.

Mirëpo jo çdo herë çështja e zëvendësimit të ditëve të festave që bien në vikend me ditë pune është rregulluar sipas ligjit. Në vitin 2013 gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar sesi Komuna e Junikut i pati caktuar vetë ditët e festave.

Komuna e Junikut atë vit pati bashkuar festën e pashkëve ortodokse me Ditën e Evropës dhe të dyja i ka shtyrë me nga një ditë përpara në mënyrë që ky pushim të lidhet edhe me vikendin.

Komuna e Junikut i Cakton Festat Vetë

Aktualisht në Kosovë kremtohen 11 festa zyrtare dhe tetë festa tjera në kategorinë e “ditëve memoriale” për komunitetet që jetojnë në Kosovë.