Komuna e Junikut i Cakton Festat Vetë
Zyrtarët e komunës së Junikut janë treguar më “racionalë” me festat e javës së fundit sesa institucionet tjera lokale dhe qendrore të Kosovës.
Komuna e Junikut me një vendim të cilin e kishte ngjitur në derën e hyrjes së komunës, e i cili përveç vulës zyrtare të komunës nuk mban as datë e as nënshkrim, ka vendosur që ditën e premte ta bëjë ditë feste.
Sipas këtij njoftimi, dita e Pashkëve Ortodokse ka qenë në Junik të enjten edhe pse zyrtarisht është festuar ditën e hënë, ndërsa dita e Europës e cila zyrtarisht në tërë vendin është shënuar të enjten, në shënohet të premten.
Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar të kontaktojë disa nga zyrtarët kryesorë të Komunës së Junikut, por ka marrë vetëm përgjigjen e sekretarisë telefonike.
Ndërkohë shumë qytetarë të cilët gjatë gjithë kohës provonin të hapnin derën e mbyllur të komunës shprehnin habinë dhe mllefin e tyre për këtë pushim të paparalajmëruar.
Sanie Myrtaj nga fshati Osek i Komunës së Gjakovës e cila tha se jeton dhe vepron në Danimarkë kishte ardhur për t’i regjistruar nipërit e saj, mirëpo komuna e mbyllur në ditë pune asaj i kishte pamundësuar kryerjen e këtyre shërbimeve.
“Boll problem. Unë kam me udhëtu nesër për Danimarkë, e sot komuna e Junikut mbyllur. Më duhet me shku pa i regjistru nipat se s’kom qare pa shku”, tha Myrtaj që mbante pasaportat e nipërve të saj në duar.
Edhe Latif Miroci nga Juniku, i cili jeton dhe vepron në Gjermani ,qëndronte para derës së komunës.
Ai edhe pse ka pasur një termin nuk arriti të kryej punë.
“Që tri javë kam ardhur në pushim, e për sot e kam pasur terminin me i rregullu do dokumente për shtetësi gjermane, po qe qysh po e shifni edhe ju vetë, këta sot e paskan bo pushim”, tha Miroci.
Visar Shehu këshilltar opozitar nga LDK-ja në Junik ka thënë se një gjë e tillë është duke u përsëritur në Junik.
“Është për tu habitur që kryetari i Komunës kur don e bën pushim, kur don e bën festë, kur don e qelë dhe e mshelë komunen”, tha opozitari Shehu, duke konfirmuar pastaj se zyrtarët komunal kanë udhëtuar për në Shqipëri.
Shefja e Zyrës për Informim në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Lumnie Demi ,tha se kjo ministri nuk e ka asnjë informatë zyrtarë për një gjë të tillë.
“Festat zyrtare janë të përcaktuara me ligj, të cilat duhet të respektohen sikurse në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal”, tha Demi.
Sipas saj, çdo veprim në këtë rast nga komunat që nuk e respektojnë ligjin për festat zyrtare është i jashtëligjshëm.
“Sido qoftë ministria nëpërmjet ekipeve të monitorimit e bën verifikimin e situatës në terren dhe i merr veprimet konform mandatit ligjor që e ka”, tha ajo, duke premtuar se brenda ditës zyrtarët e MAPL-së do të jenë në terren për një konfirmim të tillë, dhe se do të merren masa.
Sanije Myrtaj tregon pasaportat e nipërve të saj
Në njoftimin zyrtar të cilin komuna e kishte vendosur në hyrje të objektit komunal shkruante se “bazuar në ligjin nr. 03/L-064 për festat zyrtare të Republikës së Kosovës, njoftimit të Ministrisë së Administratës Publike me nr.1078, datë 26.04.2013 ju njoftojmë se për të gjithë të punësuarit e Komunës së Junikut me rastin e festës së Pashkëve Ortodokse, dhe Ditës së Evropës do të jetë ditë pushimi, e enjte 9 maj, dhe e premte 10 maj 2013”.