'Festa' e Pensionistëve pa Pensione

Kontributet e dhëna të punëtorëve të cilët u pensionuan rreth viteve të 90-ta, mbetën pa u shpaguar në pleqërinë e tyre.

Edhe sot, në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, pensionistët kosovarë marrin një pension që nuk përkon me kontributim e tyre në vitet e punës , pasi fondi pensional i asaj kohe ka mbetur në Serbi.

Menjëherë pas luftës, pensionistëve kosovarë të cilëve iu ndërpre pensioni i rregullt nga Serbia, morën një lloj asistence sociale nga institucionet e atëhershme të shtetit.

Këto padrejtësi shtyen që disa prej këtyre pensionistëve të ndjekin rrugën ligjore për të marrë atë që u takon.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, në vitin 2016, realizoi një hulumtim që përshkruan rrugën e drejtësisë që këta pensionistë ndoqën për të krijuar një bazë ligjore për secilin pensionist të cilit shteti i Serbisë i ka mbetur borxh.

Shaban Kelmendi nga Mitrovica është njëri nga ata mijëra pensionistë shqiptarë që kanë paguar me rregull kontributet pensionale para luftës.

Pasi që nuk gjeti zgjidhje në asnjërën nga gjykatat e Serbisë, më 11 qershor të vitit 2009, Shaban Kelmendi i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut ku edhe fitoi rastin.

Rrugën juridike për sigurimin e pensionit e kishte ndjekur edhe Mahmut dhe Lutvije Grudiqi nga Serbia.

Në vitin 2012, çifti Grudiq nga Mitrovica, pasi i ka shtjerrë të gjitha mjetet juridike në Serbi, i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Më 17 prill 2012, Gjykata e Strasburgut merr vendim në favor të çiftit Grudiq.

Në këtë emision Zyra e Edita Tahirit, ministres për Dialog, deklaruan se ka kërkuar në vitin 2011 që në tryezën e negociatave në Bruksel mes Kosovës e Serbisë të ngritet edhe kjo temë. Një gjë e tillë ishte refuzuar nga ndërmjetësi Robert Kooper.

Mirëpo edhe sot, dy vite pas me një udhëheqës të ri të dialogut, Avni Arifi nuk ka shumë shpresa për ngritjen e kësaj çështje në dialog.

I pyetur nga KALLXO.com, Arifi tha se fokusi është në implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe nuk dihet nëse çështja e pensioneve do të ngritet ndonjëherë.

“Në këto 5 muaj ( të Qeverisë) mundem me e konfirmu që nuk jemi marrë me borxhet që i ka Serbia ndaj qytetarëve”, tha ai.