Euro, foto: Pixabay

Shtesat prej 50 euro për sektorin publik dhe 100 euro për pensionistët do të dalin në tetor

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon për përballje me inflacionin, të prezantuar javë më parë. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar pikat e kësaj pako duke thënë se pagat e sektorit publik janë procesuar për ata që kanë punuar me orar të plotë.

Po ashtu, 50 euro e zotuara sipas ministrit Murati, nuk do të dalin bashkë me pagën në muajin shtator për shkak se tashmë pagat janë procesuar, por në muajin tetor në formë retroaktive do t’i marrin shtesat e muajit shtator dhe të muajit tetor.

“Punonjësit e sektorit publik që kanë punuar me orar të plotë gjatë muajit dhe që marrin pagën bazë primare deri në 1 mijë euro e që kualifikohen për përfitim mbështeten me shtesën prej 50 euro nga muaji shtator deri në fund të vitit. Me qenë se vendimi po merret tani dhe pagat tashmë janë procesuar, shtesa për shtator do të aplikohet bashkë me shtesën e muajit tetor” – ka deklaruar ministri Murati.

Po ashtu, ai ka thënë se në tetor të gjithë pensionistët me pensione nën 500 euro do të marrin shtesën prej 100 eurove. Ndërsa për studentët ka thënë se do t’i marrin nga 100 euro në muajin nëntor.

Në mbledhje, ministri Murati ka deklaruar se këtë javë janë bërë pagesat e dyfishta të skemave sociale në vlerë 6 milionë euro për 25 mijë familje.