Foto: REL/Reuters

Pensionistët do t'i marrin nga 100 shtesë në fund të tetorit

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve financiare për pensionistët.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se në kuadër të kësaj pakoje kanë paraparë mbështetjen e njëhershme për pensionistët me nga 100 euro.

“Në kuadër të pakos për përballje me inflacion të cilën e kemi miratuar në mbledhjen  kaluar kemi paraparë mbështetjen me shumë të njëhershme prej 100 eurove për pensionistët tanë” – tha Kurti.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, tha se për këtë duhet të ndahen mjete buxhetore, mbi 28 milionë euro.

“Në kuadër të pakos për përballje me inflacionin kemi paraparë edhe mbështetjen për pensionistët. Për pensionistët kjo mbështetje ka marrë formën e një shume të njëhershme prej 100 euro që do të transferohen në llogari këtë muaj. Për këtë qëllim duhet të ndahen mjete buxhetore në vlerën e 28 milionë e 208 mijë e 800 euro. Duke e konsideruar rëndësinë e veçantë të këtij propozimi, ju ftoj që me votën tuaj të aprovoni”- njoftoi Bislimi.

Ndarja e 100 eurove për pensionistët ishte prezantuar nga kryeministri Kurti si pjesë e pakos për përballjen me inflacionin, bashkë me ndarjen e 50 eurove për shërbyesit publikë deri në fund të vitit 2022, ndarjen e njëhershme të 100 eurove për studentët, dhe pika të tjera.