Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Parajsa për adhuruesit e dy pensioneve të pleqërisë

Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëveshje bilaterale për skemat sociale dhe si rrjedhojë nuk shkëmbejnë të dhëna për numrin dhe emrat e pensionistëve që ua paguajnë pensionet.

Mungesa e komunikimit ka krijuar një hapësirë ku qytetarë të dy vendeve përfitojnë nga pensionet e dy shteteve ani pse ligji nuk lejon që një qytetar të marrë dy pensione bazike.

Një hulumtim i KALLXO.com zbulon se sipas statistikave 10% e pensionistëve të Pejës janë nga komuniteti serb, ndërsa statistikat janë të ngjashme edhe në komunën e Istogut.

Sipas të dhënave zyrtare, në Pejë jetojnë 994 pensionistë nga komuniteti serb, ndërsa në Istog 608 pensionistë. Shifrat kanë mospërputhja pasi në regjistrimin e popullsisë del se në këto zona jetojnë shumë më pak serbë sesa numri i pensionistëve.

Sipas statistikave të vitit 2011, në Pejë jetonin vetëm 332 qytetarë të komunitetit serb e në Istog vetëm 194.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë janë të regjistruar 248 mijë e 122 pensionistë të cilët kanë kaluar moshën 65-vjeçare dhe prej tyre 27 mijë janë të komunitetit serb.

Një pjesë e tyre nuk jetojnë në Kosovë por marrin pensionin e Kosovës ndërsa hulumtimi zbardh se ka edhe shqiptarë të Kosovës që nuk jetojnë në Serbi por marrin pensione nga Serbia.

Ligji për pensionet në Kosovë parasheh që përfituesi i pensionit të jetë qytetar i Republikës së Kosovës dhe i njëjti të plotësojë kushtet për të qenë përfitues i njërës nga skemat pensionale.

Kosova ofron edhe pensionin bazik të moshës, pra kjo përcakton pensionin minimal të rregullt mujor të paguar për të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët kanë mbushur moshën 65-vjeçare pa marrë parasysh se a kanë qenë të punësuar apo jo.

S. Veroljub, 68-vjeçar, nga Mitrovica tregon se si arrin që të marrë dy pensione, njërin nga Kosova e tjetrin nga Serbia.

“I kam fillimisht dy palë dokumente, edhe të Kosovës, edhe të Serbisë. Tash e tri vite kam dalë në pension dhe marr dy palë pensione, nga Kosova dhe Serbia. Nuk e di a është e ligjshme kjo por nuk na kanë thënë asgjë asnjëherë, mua jo të paktën, as nuk më kanë pyetur ndonjëherë nëse marr pensionin e njërit apo tjetrit”- tregon Veroljub*.

Veroljub* në vitin 2014 për herë të parë ishte pajisur me dokumentet e Kosovës por që një fat të njëjtë nuk e ka edhe bashkëshortja e tij. Asaj i është pamundësuar që të marrë pensionin për shkak se nuk ka dokumentacion të Kosovës.

Veroljub* rrëfen se tash e një vit i është nënshtruar procedurave për dokumentet e Kosovës por që i kanë vënë kushte duke i thënë se duhet të nisë procedurat e nënshtetësisë.

V. Janjiq*, një 68-vjeçar tjetër nga Zveçani, deri sa bisedon me ekipin nis e qesh. Ai tregon fillimisht një histori me shokun e tij të cilin e kishte takuar ditë më parë.

“Për shembull shoku im jeton në Kralevë, ai atje jeton jo në Kosovë, erdhi para disa ditësh veç me u lajmëru për pension dhe u kthy prapë atje. Edhe unë kam pasë mundësi njëjtë me vepru por jo, po qëndroj këtu”- tregon Janjiq*.

Një nga kushtet dhe kriteret për të qenë përfitues i pensionit në Kosovë sipas Ligjit është edhe të jesh banor i përhershëm në një vend të caktuar brenda territorit.

Janjiq* thotë se askush nuk i kontrollon se ku jetojnë, as nuk u kërkojnë dokumente për këtë çështje.

“Më kanë lypë llogari bankare dhe letërnjoftimin e Serbisë, asgjë tjetër. Në Kosovë i marr 100 euro pension e në Serbi diku 200 euro më duket. Për pensionin e Kosovës kam shku në Komunë dhe aty kam kry punë, në bankë e marr të Kosovës  ndërsa pensionin e Serbisë e marr në postë ”- thotë ai.

Madje Janjiq* thotë se mund të shfrytëzohet edhe rasti që në rast se vdes pensioni të vazhdojë nëse nuk lajmërohet dikush nga familjarët.

“Asnjëherë nuk lajmërohem në Serbi për pension, nuk e ndalin edhe nëse nuk shkojmë atje. Edhe nëse vdes në Serbi mundet me ecë pensioni deri të lajmëron dikush prej familjes. Për shembull mos me u lajmëru mundet me marrë dikush tjetër pensionin”- tregon ai.

D. Kovaq*, një 76-vjeçar, për më shumë se 10 vjet është pensionist dhe jeton në njërën nga komunat në veri të vendit.

Në Ministri të Financave ka të dhëna se sa është numri i pensionistëve me etni serbe por nuk posedojnë të dhëna se sa prej tyre që janë përfitues në Kosovë marrin pensione edhe në Serbi.

Kështu të paktën Ministria e Financave ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com gjatë muajit nëntor të këtij viti.

“Departamenti i Pensioneve në kuadër të Ministrisë së Financave nuk posedon të dhëna zyrtare lidhur me numrin e shqiptarëve/kosovarëve apo edhe të serbëve që jetojnë në komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe që marrin pension nga Serbia”- thuhet në përgjigje.

Për këtë Ministria thotë se mungon shkëmbimi i të dhënave në fushën e pensioneve me Serbinë.

“Me Serbinë nuk kemi marrëveshje në fushën e pensioneve siç kemi me shumë vende tjera të rajonit dhe Evropës me të cilat e kemi të rregulluar çështjen e shkëmbimit të të dhënave” – thuhet tutje në përgjigjet e Ministrisë.

Për të marrë një qëndrim në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar zëvendësministrin e Financave, Agon Dobruna.

Dobruna në pozitën e zëvendësministrit erdhi gjatë këtij viti me vendim të kryeministrit Albin Kurti.

Ai për KALLXO.com thotë se në kuadër të Ministrisë që mbulon ka shumë skema pensionale dhe sociale që rregullohen me një varg aktesh ligjore dhe nënligjore, dhe që përfitues mund të jenë potencialisht edhe personat me dy shtetësi por shton se rregullimi kryesor është nëpërmjet Ligjit për skemat pensionale të financuar nga shteti, i plotësuar dhe ndryshuar, si dhe akteve nënligjore që rregullojnë procedurat dhe kriteret e tjera administrative.

“Në anën tjetër, ky Ligj përcakton që shfrytëzuesit e pensionit kontributpagues të moshës dhe shfrytëzuesit e pensioneve të tjera të përcaktuara me këtë Ligj, mund të jenë edhe shtetasit e huaj, me shtetin e të cilëve Republika e Kosovës lidh marrëveshje bilaterale për sigurimet sociale. Fatkeqësisht, Republika e Kosovës ka një numër jo të mjaftueshëm të marrëveshjeve të tilla”- thotë Dobruna.

Ai tutje përmend edhe faktin se si Ministri rishtazi kanë përcjellë për ratifikim një marrëveshje të tillë me Holandën, dhe se janë në prag të mbylljes së negociatave me Austrinë dhe Kroacinë, si dhe kanë iniciuar një të tillë me Turqinë.

Në anën tjetër për pensionet që merren nga Serbia, Dobruna pranon se kanë informacione për përfitues të dyfishtë.

“Nuk kemi ndonjë regjistër të tillë dhe praktika me shtetet e tjera është që këto të dhëna shkëmbehen zyrtarisht nga burimet e shtetit tjetër. Me Serbinë situata është ndryshe. Sidoqoftë, këtë duhet ta trajtojmë në rrafshin ligjor dhe nuk na mjaftojnë vetëm informata, por duhet faktuar këtë në aspektin ligjor”- thekson ai për KALLXO.com.

Zëvendësministri thotë se në pamundësi të lidhjes së një marrëveshjeje të tillë me Serbinë në një afat të shkurtër, ekipi ligjor brenda MFPT-së është duke shqyrtuar mekanizma alternativë për të siguruar informatat e nevojshme dhe mbrojtur paranë publike.

“Besoj që shumë shpejt do të kemi edhe ndërmarrjen e hapave konkretë në këtë drejtim” – përfundon ai.

KALLXO.com ka kërkuar të dhëna në lidhje me pensionet të cilat ofron Qeveria e Serbisë për pensionistët të cilët jetojnë edhe në Kosovë por nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Kërkesa i është dërguar edhe Ministrisë së Financave të Serbisë por sërish asnjë përgjigje në këtë temë.

Se si funksionon kjo skemë nuk është e qartë nga ana e atyre që drejtojnë komuna apo njësi të komuniteteve dhe kthimit, njësi këto të cilat funksionojnë në kuadër të komunave të Kosovës.

Leotrim Ajeti është nënkryetar për komunitete dhe kthim në Komunën e Graçanicës. Ai thotë se kjo çështje diskutohet por edhe dihet qartë ndërsa për fenomenin ka dëgjuar si qytetar por jo si person i cili ka pozitën që ka.

“Jo, nuk kemi kësi lloj të dhëna. Këto janë te strukturat paralele. Nuk kam të dhëna, unë mundem me pranu që serbët marrin apo shqiptarët jo nuk e di. Ide nuk kam se si funksionojnë, nuk është punë e jona dhe nuk jemi marrë me këtë çështje”- thotë Ajeti për KALLXO.com.

Në Komunën e Kamenicës jetojnë qytetarë serbë për të cilët kryetari thotë se ekziston diskursi publik se ata marrin pensione nga Serbia e Kosova por që nuk i kanë të identifikueshme këto statistika.

“Të bëhem i sinqertë si diskutim apo diskurs publik ekziston por me të thanë të drejtën ne nuk jemi marrë sepse si politikë i takon më shumë nivelit qendror dhe jo lokal. Pak është e vështirë të vërtetohet se a i marrin dy palë pensione ata, edhe të Kosovës, edhe të Serbisë, por kemi të dhëna sa marrin në Kosovë”- thotë Kadri  Rahimaj,  kryetar i Kamenicës.

Mazllum Baraliu, profesor i të drejtës kushtetuese dhe njohës i çështjes së pensioneve, thotë se procesi i marrjes së dy pensioneve është i jashtëligjshëm dhe kjo krijon pabarazi te qytetarët.

“Nuk ka të drejtë me i marrë dy pensione askush dhe ata që marrin pensione në Serbi duhet të marrin një vërtetim këtu (në Kosovë) e që e realizojnë pra të drejtën e tyre dhe që nuk kanë pension nga Kosova mirëpo kjo në praktikë si duket nuk ndodh për arsye se plot njerëz marrin pensione edhe atje, edhe këtu, pra është e kundërligjshme. Pa marrë parasysh shtetësinë, nuk do të thotë kjo që duhet edhe dy beneficione t’i marrin”- thotë Baraliu deri sa shton se në ligjet e Kosovës parashihet që nëse realizon një të drejtë nuk mund ta realizosh të drejtën tjetër, pavarësisht nënshtetësisë.

Baraliu flet edhe për mungesën e dokumenteve që ka Kosova si shtet në këtë çështje.

“Data-bazë duhet të kenë sepse kur lëshojnë vërtetim se nuk merr pension dikush këtu për të realizuar pensionin në Serbi në Beograd, ai është dokument që duhet të evidentohet në një libër, e nëse nuk e kanë këtë është e mundur sepse këtu është kaotike çështja e pensioneve. Jemi i vetmi vend që nuk e kemi një sistem të mirëfilltë të pensioneve”- shton tutje Baraliu.

Si një njohës i kësaj çështjeje Baraliu thotë se ka punuar në të kaluarën për këtë çështje ndërsa fajin për situatën e krijuar deri më tani ia lë të gjitha qeverive që ishin në pushtet.

“Totalisht e pareformuar është kjo çështje, është turp nga të gjitha qeveritë sepse nuk kemi sistem të mirëfilltë”- përfundon Baraliu.

Dy qeveritë, ajo e Serbisë dhe ajo e Kosovës, nuk kanë të dhëna të sakta se sa është dëmi financiar që u shkaktohet buxheteve të skemave pensionale nga kjo problematikë.

 

Ky artikull është pjesë e një nisme që forcon bashkëpunimin ndërkulturor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili financohet nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e Internews Kosova dhe nuk përfaqëson domosdo pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose bashkëpunëtorëve të tjerë në projekt.