Ferizajasit Nisen për Protestë

Shtatë autobusë dhe shumë vetura private me protestues janë nisur nga Ferizaj drejt Prishtinës për të marrë pjesë në protestën e sotme të opozitës.

Emrush Xhemajli, drejtues i Vetëvendosjes në Ferizaj tha për KALLXO.com se protesta po bëhet për shkak të “shkeljeve të Kushtetutës”.

“Po dalim për të protestuar për shtet me sovranitet dhe kundër shkeljeve të Kushtetutës. Protesta do të jetë e qetë”, tha Xhemajli.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Shpend Hysaj, tha se protesta është zgjidhja e vetme për Kosovën.

“Po protestojmë kundër rrënimit të shtetit të Kosovës. Protesta është zgjidhja e vetme”, tha Hysaj.

Ndërsa Fatos Zariqi i AAK-së u ankua se shumë autobusë që janë kontraktuar për t’i bartur protestuesit nuk kanë ardhur në pikën e caktuar.

“Kemi mbetë pa transport sepse autobusët nuk po vijnë për shkak se i ka kërcënu pushteti”, tha Zariqi.

Ndërsa Arben Fazlia nga kompania “Arbeni Turs” tha për KALLXO.com se nuk kanë autobusë të lirë.

“Nuk kemi autobusë të lirë. Para dy ditëve unë ua kam dërgu autobusin kur u është nevojitur por sot nuk kam autobus të lirë”, tha Fazlia.

Këta janë protestuesit që kanë mbetur pa udhëtuar nga Ferizaj.

ferizaj2