Fati i Enver Hasanit në Duart e Supremes

Gjykata Supreme e Kosovës do të përcaktojë nëse ish-kreu i Kushtetueses, Enver Hasani, do të gjykohet apo do t’i njihet imuniteti funksional në të cilin ishte thirrur Gjykata Themelore e Prishtinës në vendimin e saj përmes të cilit kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për mundësi të veçantë hetuese.

Rastin në Supreme e ka dërguar avokati i Hasanit, Bajram Tmava, i cili ishte i pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit. Kjo e fundit e kishte vlerësuar jolëndor vendimin e Gjykatës Themelore, me të cilin ishte refuzuar kërkesa e Prokurorisë për mundësi të veçantë hetuese.

“Unë kam bërë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme dhe pres që ajo të vendos në favor të mbrojtjes”, tha Tmava për KALLXO.com.

Lidhur me këtë rast KALLXO.com ka kërkuar edhe opinionin e Gjykatës Supreme se kur mund të pritet vendimi lidhur me këtë rast, por nuk ka pranuar përgjigje.

Se lënda është dërguar në Gjykatën Supreme për KALLXO.com e konfirmoi edhe Zyra për Informim pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me kërkesën tuaj që ju keni parashtruar ju njoftojmë se me kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit lënda gjendet në Gjykatën Supreme të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore.

Prokuroria Speciale e Kosovës në kuadër të hetimeve të saj ndaj Enver Hasanit në prill të vitit të kaluar kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë një leje të veçantë për të intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nën imunitet.

Gjykata Themelore në dhjetor të vitit të kaluar kishte vendosur lidhur me këtë kërkesë të Prokurorisë, duke e refuzuar atë dhe njëkohësisht duke njohur imunitetin funksional të Enver Hasanit.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë  ishte marrë në dhjetor 2015, ndërsa i njëjti është dorëzuar në Prokurori tek më 1 shkurt 2016.  Në ndërkohë, pa e pranuar këtë vendim, më 13 janar 2016 Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën ndaj Enver Hasanit.

Kundër vendimit të Gjykatës Themelore, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila kishte aprovuar, duke ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore dhe duke e cilësuar jo-lëndor aktvendimin e tyre.

Hasani akuzohet nga Prokuroria Speciale për dy vepra penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe falsifikim i dokumentit.

Sipas aktakuzës, Enver Hasani në mënyrë të kundërligjshme në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidentes që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

Për aktakuzën ndaj Hasanit u bë debat në janar të këtij viti në Emisionin “Jeta në Kosovë”.

http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-per-aktakuzen-ndaj-enver-hasanit/