Fabrika në Ferizaj Vazhdon të Digjet

Fabrika e këpucëve “Geris”, në fshatin Prelez të Ferizajt, e cila u dogj pothuajse tërësisht nga një zjarr në mëngjesin e së shtunës, vazhdon të digjet edhe gjatë ditës së sotme.

KALLXO.com sjell pamje të fabrikës një ditë pas zjarrit dhe nga pamjet shihet se si ende vazhdon të dalë tym nga fabrika e djegur.

KALLXO.com gjatë ditës kontaktoi edhe me zëvendësdrejtorin e Policisë në Ferizaj, Basri Shabani, i cili tha se zjarri ende nuk është shuar plotësisht, por se kjo nuk përbën rrezik.

Shabani tha se hetimet lidhur me shkaqet e djegies janë në fazën fillestare, prandaj ende nuk dihen shkaqet.

“Ende nuk kemi arritur të konfirmojnë shkaqet e zjarrit. Ne jemi duke e hetuar rastin dhe sapo të pranojmë raportin nga hetuesit dhe zjarrfikësit do të dalim me raport për shkaqet e zjarrit”, tha Shabani.

Zëvendësdrejtori i Policisë tha po ashtu se ende nuk është bërë vlerësimi i dëmeve që shkaktoi zjarri në këtë fabrikë.

Zjarri në fabrikën “Geris” filloi gjatë ditës së djeshme ndërsa përkundër intervenimit të zjarrfikësve nga Ferizaj, të cilëve në ndihmë u erdhën edhe ata nga Lipjani, Vitia dhe Shtimja, nuk arritën të shpëtojnë fabrikën.