Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/AP

Erdogan i Kërkon Llogari Haradinajt për Lirimet nga Detyra

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan sot deklaroi se Agjencia Turke e Inteligjencës, me një operacion në Kosovë i kanë kapur 6 përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Agjencia Turke e Inteligjencës, me një operacion në Kosovë 6 prej këtyre (FETO) i kapën këta përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan dhe i sollëm. Por, kam një pikëllim. Kryeministri i Kosovës i liroi nga detyra personin në krye të inteligjencës dhe ministrin e brendshëm. Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grushtshteti Republikës së Turqisë?”, tha presidenti Erdogan.

Madje Erdogan duke iu drejtuar Haradinajt është shprehur se “vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti”.

“Si mund t’i ushqesh këta njerëz që kanë bërë një tentativë për grushtshteti ndaj Turqisë e cila mirëpret Kosovën si një vëlla. Do të japësh llogari edhe t’i për këtë. Vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët që i njoh dhe i di, do të kërkojnë llogari prej teje për këtë. Unë e di edhe këtë”, ka deklaruar Erdogan.

Gjatë mëngjesit të ditës së 29 marsit janë arrestuar gjashtë shtetas turq, pesë prej të cilëve ishin punëtorë në kolegjin “Mehmet Akif” dhe një tjetër ishte mjek. I gjithë ky operacion u tha se u zhvillua pa dijeninë e kryeministrit Haradinaj.

Për shkak të këtyre veprimeve, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj liroi nga detyra drejtorin e AKI-së Driton Gashi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Familjarët e gjashtë shtetasve turq të arrestuar, natën e kanë kaluar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” për shkak të dyshimeve se familjarët e tyre janë në hapësirat e aeroportit.

Por Policia e Kosovës, përmes një komunikate ka thënë  se “qytetarët turq, të cilëve u është revokuar leja e qëndrimit në Kosovë, janë larguar me aeroplan nga Aeroporti i Prishtinës në ora 11:05 minuta të datës 29.03.2018”.

Gjatë ditës së sotme mediat kanë raportuar se familjarët kanë arritur të komunikojnë me të arrestuarit të cilët u tha se gjenden në burgun e sigurisë së lartë në Stamboll.