Ekspozitë Falënderimi për Amerikën

Fotografi që përshkruajnë periudha të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar Kosova janë prezantuar sot përmes një ekspozite të organizuar nga të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë

Përmes kësaj ekspozite qytetarët kishin mundësinë të njoftoheshin me ngjarje të ndryshme, të cilat janë paraqitur në fotografi që i përkasin kohës së para luftës, gjatë dhe pas saj, e deri në ditën e Pavarësisë.

Qytetarët kanë shkruar falënderimet dhe përshtypjet e tyre për kontributin e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekspozita2

Kryetarja e Rinisë së PDK-së, Shpresa Rama, tha për KALLXO.com se e kanë organizuar këtë aktivitet në shenjë falënderimi për kontributin që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shtetin e Kosovës.

“Përmes këtyre fotografive ne kemi dashur të paraqesim periudhën para, përgjatë dhe pas luftës e deri në shpalljen e pavarësisë, dhe kontributin e madh që dhanë SHBA-të për gjithë këtë proces që Kosova kaloi përgjatë këtyre viteve”, tha ajo.

Shpresa Rama theksoi se qytetarët sot kanë mundësinë që të shohin fotografitë e kësaj ekspozite, por edhe të shkruajnë në librin e përshtypjeve, të cilin pas përfundimit të aktivitetit do ta dorëzojnë në Ambasadën Amerikane, si shenjë falënderimi nga qytetarët e Kosovës.

I pranishëm ishte edhe Agim Rexhepi, kryetar i Miqve të Amerikës në Kosovë, i cili falënderoi organizatorët për këtë ekspozitë.