Eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, Foto: Kallxo.com

Eksperti Hamiti: Kontrata e PTK-së me Monako Telekomin është krim

Eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, i cili është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala në cilësinë e dëshmitarit, ka deklaruar se një ndër shkaktarët e gjendjes së Telekomit sot është kontrata me Monako Telekomin.

Hamiti e ka quajtur krim kontratën me Monako Telekomin.

“Çka e solli Telekomin në këtë gjendje, unë e konsideroj të parën, kontratën famëkeqe me Monako Telekomin, që solli dukuri të tjera, sidomos eliminimin e kuadrit vendor. Kontrata me Monako Telekomin është ndër më të dëmshmet për PTK-në, më se gjysma e fitimit të PTK-së në atë kohë i shkonte Monako Telekomit. Kjo është rezultat i asaj se PTK detyrohej të paguante gjithçka, përfshirë edhe kodin, kjo kontratë është krim, është e kundërligjshme. Kjo kontratë vazhdon edhe sot e kësaj dite”, është shprehur Hamiti para Komisionit.

Hamiti ka kërkuar nga Komisioni që të kërkojë nga Telekomi i Kosovës paratë që i janë paguar Monako Telekomit. Sipas Hamitit, kjo shumë i tejkalon të gjitha donacionet e huaja në Kosovë, dhe po ashtu ai tha se me këtë shumë do të kishim ndërtuar një rrugë tjetër të kombit.

Hamiti tha se ai i ka emrat e personave që janë të përfshirë në këtë kontratë.

“Po të kishte ligj ata duhet të jepnin përgjegjësi. Si lindi kjo kontratë? Hapi i parë ishte manipulimi i tenderit”, shtori Hamiti.

Gjatë dëshmisë së Hamitit, disa prej deputetëve u larguan nga salla ku po mbahej takimi. Si rrejedhojë e kësaj në sallë ishin të pranishëm vetëm 5 deputetë. Mungesa e kuorumit pamundësoi vazhdimin e kësaj mbledhje. Vazhdimi i këtij takimi u shty për një afat të pacaktuar.

Para ekspertit Ismet Hamiti, para Komisionit dëshmoi edhe eksperti i telekomunikacionit Naim Maloku. Maloku deklaroi se si profesionist nuk do të nënshkruante kontratën me Z-Mobile.

Me rendin e ditës sot ishte paraparë të intervistohej edhe eksperti tjetër Agron Dida, por për shkak të mungesës së kuorumit, Dida do të japë dëshminë e tij në takimin e radhës.