Gjykimi i ish-Policit Artim Gashi - Foto: KALLXO.com

Eksperti flet për gjendjen emocionale të ish-policit para se të shtinte në ish-gruan

Në gjykimin e ish-policit Artim Gashi, i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë ndaj ish-gruas së tij, në cilësi të ekspertit është dëgjuar dr. Fahri Drevinja.

Drevinja së bashku me ekspertët Naim Hoxha e Ajet Bunjaku kanë përpiluar një raport mjekësor në lidhje me gjendjen psikike të të akuzuarit para dhe pas kryerjes së veprës penale.

Të pranishëm në Gjykatë ishin dy ekspertët Fahri Drevinja dhe Naim Hoxha, ndërsa për ekspertin tjetër Ajet Bunjaku kolegët e tij thanë se i njëjti nuk është paraqitur në Gjykatë pasi që gjendet në pushim mjekësor.

Pasi që prokurori si dhe palët në procedurë i paraqitën propozimet e tyre në lidhje me administrimin e provave, seanca vazhdoi me dëgjimin e ekspertit Fahri Drevinja.

Ekspertin Drevinja mbrojtësi i Artim Gashit, avokati Ramiz Krasniqi, e pyeti se sipas ekspertit çka nënkuptohet me observim psikiatrik.
“Një observim psikiatrik është një ekzaminim kompleks i cili kryhet për nevoja të gjykatës dhe gjykatës i pasqyrohet gjendja e shëndetit mendor të ekzaminuesit apo klientit. Është një proces shumë i vështirë i cili kërkon njohuri/eksperiencë si dhe metodologji shkencore për të ardhur deri te konstatimi dhe gjendja reale objektive karshi kërkesave të gjykatës ose institutit”, u përgjigj eksperti.

Avokati Krasniqi ekspertin e pyeti nëse ai i kishte bërë çdo ditë vizitë rutinore repartit ku ka qenë i vendosur Artim Gashi.

Në lidhje me këtë eksperti tha se në repartin në të cilin ka qenë i vendosur i akuzuari Artim Gashi çdo ditë pune është kryer vizita nga dr. Ajet Bunjaku, i cili është edhe shef përgjegjës i repartit ku është kryer ekzaminimi kurse vizitat nga dy ekspertët e tjerë, si ai dhe Naim Hoxha, tha se janë kryer vetëm ditëve të marte.

Eksperti tha se ai personalisht është takuar më shumë se 10 herë me pacientin/të akuzuarin.

I pyetur nga avokati, eksperti sqaroi edhe se si caktohet një diagnozë psikiatrike.

“Një diagnozë psikiatrike caktohet në bazë të intervistave psikiatrike, në bazë të të vërejturit objektiv të sjelljeve të pacientit me metodën biologjike dhe psikike-psikologjike, metodë e cila në rast të gjetjeve të sëmundjeve tregon se  si ka ndikuar ajo sëmundje në sjelljen e të ekzaminuarit ose në kontrollin e veprimeve të tij”, tha Drevinja.

Tutje avokati e pyeti ekspertin nëse gjatë ekzaminimit psikik të cilin e kishte kryer në të akuzuarin të kishte ardhur në përfundim se vepra penale është kryer si pasojë e xhelozisë patologjike.

Për çka eksperti tha se gjatë ekspertizës ka hasur në elemente të xhelozisë që mund të kenë qenë pjesë të personalitetit të të akuzuarit, por jo xhelozi patologjike.
“Nëse merren si të vërteta të gjitha këto kërkesa nga ana e të akuzuarit për viktimën për t’u fotografuar në çdo vend dhe se me kënd është, ka elemente të xhelozisë por jo elemente të xhelozisë patologjike. Janë pjesë e personalitetit të të akuzuarit që janë të përshkruara në raport të ekspertizës”, sqaroi eksperti.

Eksperti po ashtu deklaroi se i akuzuari për momentin merr terapi  dhe se ai e ka rekomanduar institutin që kudo që të gjendet i akuzuari, të mbikëqyret rreptësisht dhe ta përdor terapinë për shkak të gjendjes mjaft të brishtë psikike në të cilën tha se ndodhet ai pas kryerjes së veprës penale.

Për këtë brishtësi psikike në të cilën eksperti tha se ndodhet i akuzuari, avokati Ramiz Krasniqi e pyeti nëse i akuzuari të ketë qenë në gjendje të njëjtë edhe para kryerjes së veprës.

Me ç’rast eksperti tha se sipas ekzaminimit të cilin e ka kryer tek pacienti ka vërejtur se i njëjti para kryerjes së veprës kishte qenë në një gjendje emocionale labile kjo për shkak të rrethanave në të cilat ishte ndodhur.

“Ekipi i ekspertëve ka nxjerrë konstatime se para veprës tek i njëjti është konstatuar një gjendje emocionale labile, një gjendje e brishtë emocionale pas ndarjes nga jeta të prindit të tij, i cili ka vdekur pak kohë para ngjarjes dhe që ka qenë mjaft i lidhur me të. Pastaj rrethanat e tij familjare, djalë pas tre motrave, ka qenë djalë i përkëdhelur kështu që më shumë detaje për këto raporte familjare i ka nxjerrë punëtori special, i cili është pjesë e ekipit”, deklaroi Drevinja, i cili në pyetjen e avokatit se nëse persona të tillë provokohen lehtë, u përgjigj me “Po”.

Mirëpo përkundër gjendjes emocionale labile në të cilën tha se ka qenë i akuzuari, eksperti deklaroi se sipas ekspertizës, i akuzuari para kryerjes së veprës ka pasur mendim të rregullt, mirëpo tha se në kohën e kryerjes se veprës penale, tek i akuzuari është krijuar një gjendje mjaft e ngarkuar emocionale, ku si pasojë e akumulimeve të gjendjeve të mëparshme (historikut të problematikës), tha se  ka ardhur deri te zbrazja afektive. Prandaj Drevinja deklaroi se sipas tij tek i akuzuari ka elemente të afektit gjatë kryerjes së veprës penale.

Në fund të marrjes në pyetje avokati Ramiz Krasniqi e pyeti ekspertin nëse i akuzuari gjatë kryerjes së veprës penale ka qenë në gjendje t’i kontrollojë veprimet e veta si dhe pasojat e atyre veprimeve.

“Tentimi për vrasjen e personit me të cilin i akuzuari ka pasur lidhje intime të çrregullta, në momentin kur kjo lidhje shkëputet pa dëshirën e tij në mënyrë të pakthyeshme nën këto kushte i akuzuari a ka qenë në gjendje t’i kontrollojë veprimet e veta dhe a ka qenë i vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të veta?”, e pyeti avokati.

Në pyetjen e avokatit, eksperti u përgjigj se të gjitha këto rrethana kanë ndikuar që i akuzuari ta ketë pasur të dëmtuar të kuptuarit, rëndësinë e veprës si dhe kontrollin e veprimeve të tij.

Sipas aktakuzës, ngjarja kritike ka ndodhur më 2 janar 2017 rreth orës 9:30, në rr. “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se i akuzuari pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën, e cila ishte nisur për provim në Fakultet.

Më tej, aktakuza shpjegon se Gashi fillimisht e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë, mirëpo pasi e dëmtuara  kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “GLOCK”, e ka goditur atë me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia këputë indet e syrit të majtë, plumbi depërton në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç‘ rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë me pasoja të përhershme për shëndetin.

Më pas, i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, si dhe të njëjtit i është konfiskuar arma e përmendur në dispozitivin e kësaj aktakuze.

I pandehuri në deklaratën e tij të dhënë në prokurori më 30 mars 2017, e kishte shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.