Edukatorja e Larguar Kthehet në Punë

Është kthyer në punë edukatorja Indira Haliti për largimin e padrejtë të së cilës nga procesi i arsimit shkroi KALLXO.com.

Indira Haliti tha se nënshkroi kontratën e punës pasi u ankua në inspektoratet e arsimit dhe punës si dhe në Sindikatën e Bashkuar të arsimit dhe Kulturës (SBASHK).

“Pas ankesave të ushtruara në këto institucione, ata kanë ndërmarrë hapin duke i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe mua më është rikthyer puna ime, vendimi ka ardhë prej inspektoriatit të arsimit dhe të punës dhe dje e kam nënshkru kontratën,” tha Haliti.

Edukatorja tregoi se ka nisur punën, ndërsa do të kompensohet edhe për muajin kur u largua nga puna.

“Për muajin e kaluar kanë marrë vendim që paga të më kthehet në mënyrë retroaktive për muajin tetor dhe tani për muajin nëntor. Tash kam filluar punën, nxënësit vijnë me rregull, mësimi është duke u zhvilluar normalisht,” tha Haliti.

KALLXO.com më 2 tetor të këtij viti shkroi për largimin nga puna të edukatores Indira Haliti prej Drejtorisë së Arsimit në Mamushë.

KALLXO.com kontaktoi drejtorin e arsimit dhe zyrtarë komunalë të Mamushës për t’i pyetur rreth kthimit në punë të edukatores, por kontakti me ta ishte i pamundur.

Drejtoria e Arsimit në Mamushë ia ndërpreu marrëdhënien e punës edukatores Indira Haliti pas kërkesës së disa prindërve për largimin e saj.

Këta prindër në një letër kërkonin largimin e edukatores me arsyetimin se ajo nuk ka treguar sukses me nxënësit, ka pasur sjellje të keqe dhe shpeshherë ka munguar.

KALLXO.com kishte kontaktuar me disa nga prindërit nënshkrues të kësaj letreje, mirëpo shumica prej tyre nuk deshën të flasin.

Hulumtimi i Kallxo.com pati zbuluar se  kishte nga të nënshkruarit në letrën e prindërve, të cilët nuk kanë pasur asnjëherë fëmijë në klasën e edukatores Haliti.

Edukatorja e mësimit parafillor në Shkollën ‘Zybejde Hanëm” të Mamushës Indira Haliti kur pati folur për KALLXO.com largimin e saj nga puna e pati konsideruar të padrejtë.

http://kallxo.com/komuna-e-mamushes-largon-edukatoren-nga-puna/