Edita Tahiri, Ministre për Dialog

Edita Tahiri: Shuarja e Strukturave Paralele, Kusht për Asociacionin

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, tha sot se shuarja e strukturave paralele të Serbisë brenda Kosovës është kushti për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Tahiri, gjatë një raportimi para Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, tha se tema e vijës administrative mes komunave të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut nuk është diskutuar asnjëherë gjatë dialogut në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Asociacioni do të kontribuojë në integrimin e plotë të serbëve në sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës dhe me këtë rast do të shuhen të gjitha strukturat paralele të Serbisë që është kusht për themelimin e asociacionit. Me fjalë tjera, pa u shuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë nuk do të ketë themelim të Asociacionit”, tha Tahiri.

Sipas saj, organet e këtij asociacioni do të jenë të njëjta me ato të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Por Tahiri mori kritika nga deputeti i partisë opozitare NISMA për Kosovën, Zafir Berisha.

Ai tha se në këto bisedime, Serbia “ka përfituar më shumë se Kosova”.

“Nuk keni qenë në nivel të përgjegjësisë në këto bisedime. Ka pasë mundësi të përmirësohen gabimet por nuk janë përmirësu”, tha Berisha.

Ai e kritikoi Edita Tahirin edhe për temat për të cilat është diskutuar në Bruksel.

“Nuk e di pse ka qenë dashtë të jetë temë bisede me Serbinë themelimi i Asociacionit. Serbia është bërë palë për çështje të brendshme të Kosovës dhe Kosova këtu nuk e ka mbrojtë identitetin e vet shtetëror. Keni biseduar me Serbinë për urën e Ibrit dhe ura e Ibrit nuk është në Serbi por në Kosovë”, tha Zafir Berisha.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Sadri Ferati tha se ka pasur mungesë komunikimi ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit për atë për çka është biseduar dhe çka nuk është biseduar atje.

“Për Asociacionin as nuk e dimë a është OJQ as nuk e dimë a është shtrirje e pushtetit të Serbisë në Kosovë. Derisa ta shoh statutin e asociacionit, ne po bëjmë politikë. Frika ekziston sepse ekziston një disonancë sepse ndryshe është thënë në Prishtinë e ndryshe është thënë në Beograd pas takimeve në Bruksel”, tha Ferati.

Ministrja është pyetur edhe për arrestimin e drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës Jugore, Nehat Thaçit, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

“Ky është një arrestim arbitrar. Menjëherë pas arrestimit kam kërkuar nga BE që të punojë për lirimin e tij. Nga BE-ja kam marrë premtime që do të angazhohen për lirimin e tij, ndërsa pala serbe s’ka premtuar asgjë. Unë ftoj organet e drejtësisë së Kosovës që të marrin masa reciprociteti në lidhje më këtë çështje, ndërsa për gjëra tjera përgjegjësinë për këtë rast e ka marrë Ministria e Punëve të Jashtme”, tha ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Ajo shtoi se kur është arrestuar drejtori i Policisë së Rajonit të Mitrovicës, Nehat Thaçi, ka kërkuar nga Qeveria nëse duhet ta ndërpres dialogun, mirëpo gjatë fjalimit të saj ajo nuk tregoi edhe për përgjigjen që ka marrë nga Qeveria.