Edhe një Gjeneral Tjetër Amerikan Synon Investime në Kosovë

Rreth 3 mijë vende të reja të punës mund të hapen në Kosovën me investimet e pritshme të kompanisë amerikane “Stone Alliance” e cila nënshkroi sot një marrëveshje me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në praninë e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Michael Barbero, një gjeneral amerikan në pension, erdhi sot në Kosovë për prezantuar synimin e vet për investim me kompaninë gurthyese “Stone Alliance”.

Interesimi i kompanisë ku bën pjesë Barbero është rasti i dytë që një gjeneral amerikan synon tokën e Kosovës për investime pas kërkesës së kompanisë së gjeneralit tjetër amerikan, Wesley Clark, për hulumtim të qymyrit në një të tretën e hapësirës së Kosovës.

Barbero tha sot se pret që ky projekt ta dërgojë një mesazh.

“Ne besojmë se suksesi i projektit tonë, “Stone Alliance” do të dërgojë mesazhe të qarta, të forta e të pastra te komuniteti internacional, që Kosova është një partner i shkëlqyeshëm për biznes dhe investime”, shtoi Barbero.

Ndërsa drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka njoftoi se do të ketë edhe kompani tjera amerikane që do të investojnë në Kosovë.

“Po shohim një dritë në fund të tunelit ose po shohim një perspektivë më të mirë për kompanitë e tjera amerikane të cilat po synojnë të shtrijë operacionet e tyre në Kosovë”, tha Zeka.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Kadri Veseli u shpreh i lumtur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje memorandumi duke shpresuar se edhe kompanitë tjera amerikane do të vijnë të investojnë në Kosovë.

“Kosova dhe qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për storje të suksesit dhe sot, në këto rrethana të lirisë, suksesi më i madh dhe krenaria ma e madhe është për atë njerëz që arrijnë të krijojnë vende të reja punë për qytetarët e vendit tonë”, u shpreh kreu i Kuvendit.