E Kaluara e Errët ‘Errëson’ Kthimin e Serbëve në Mushtisht

Kërkesa e 10 familjeve të shpërngulura serbe për t’u kthyer e për të jetuar në fshatin Mushtisht të Suharekës ka ngjallur edhe një herë reagim kundërshtues të banorëve shqiptarë.

Shqiptarët e serbët kishin jetuar në këtë fshat deri në vitin 1999.

Por shqiptarët, që kanë përbërë shumicën e popullsisë, tani ankohen se kanë qenë disa serbë lokalë ata të cilët kanë udhëhequr fushatat e vrasjeve të njerëzve, djegies së shtëpive dhe plaçkitjeve gjatë kohës së luftës së vitit 1999.

Projektin për kthimin e tyre e shpalli Ministri për Kthime dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, dy javë më parë gjatë një vizite me një grup të serbëve të shpërngulur nga ky fshat.

Jevtiq tha se bashkë me Bashkimin Evropian, komunën e Suharekës dhe UNHCR-në është miratuar një listë prej 10 familjesh të para të cilave pritet t’u krijohen kushtet për kthim.

“Ajo që është e rëndësishme dhe domethënëse në këtë hap të parë është që njerëzit që kthehen të jenë këmbëngulës, sepse unë nuk pres se çdo gjë të shkojë në mënyrën se si kemi planifikuar”, thotë Jevtiq.

Në këtë drejtim, ministri Jevtiq mund edhe të ketë të drejtë. Projekti i kthimit në Mushtisht po has në rezistencën e banorëve shqiptarë ende pa nisur.

Mejdi Jakupi, banor i Mushtishtit, thotë për KALLXO.com se edhe sot pas 17 viteve banorët nuk po munden të të vijnë në vete për shkak të pasojave nga lufta.

“Kam dëgjuar se disa serbë donë me ardhë këtu po qysh do të vinë kur ata këto shpi i kanë kallë. Edhe nëse mendojnë me ardhë, mos të mendojnë që në Mushtisht munden me kalu lehtë”, thotë Mejdi Jakupi

Banori tjetër Jashar Shala, kërkon që njerëzit që janë vënë në listë për t’u kthyer të jenë, siç shprehet ai, të pastër me të kaluarën e tyre.

“Po ata kanë bërë kërkesë, po a janë të pastër ata që do të kthehen këtu, a e dinë ata çka kanë bërë në këtë fshat, a kanë lënë ndonjë shpi pa e djegë, ose a e kanë lënë ndonjë njeri pa e përzënë prej këtu, që na kanë dëbua, na kanë heq prej shtëpive tona me dhunë, ku po mendojnë ata mu kthy këtu?”, pyet ai.

Nënkryetari i Komunës së Suharekës, Rexhep Kuçi, thotë për KALLXO.com se kjo komunë e mbështet kthimin e atyre që janë larguar nga shtëpitë e tyre, por në rastin e Mushtishtit e sheh problem implementimin e projektit.

Ai thotë se përfaqësuesit e fshatit Mushtisht as që duan të marrin pjesë nëpër takime ku flitet për kthimin e të shpërngulurve.

“Si duket ende nuk ekziston një klimë e volitshme e banorëve për kthim të qëndrueshëm të bashkëvendësve të tyre. Ndoshta edhe pse kanë kaluar shumë vite nga lufta, është pak herët për të menduar për një formë të kthimit të tillë. Megjithatë ne respektojmë standardet ndërkombëtare që prona është e tyre dhe ta realizojnë të drejtën e kthimit në pasuritë e tyre, por për momentin si duket nuk ekziston një klimë e volitshme”, tha Kuçi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Prokurorinë Speciale të Kosovës, për ta pyetur nëse janë bërë hetime në akuzat e banorëve shqiptarë të Mushtishtit ndaj bashkëfshatarëve të dikurshëm serbë.

Liridona Kozmaqi Hajdaraj, zëdhënëse e kësaj Prokurorie, përmes emailit, ka njoftuar se nuk ka ndonjë procedurë penale apo hetim të nisur për këtë rast.

Klimën jo të mirë për kthimin e serbëve në Mushtisht e konfirmon edhe Shaqir Mala, përfaqësues i fshatit.

“Për momentin është krijuar një klimë e pafavorshme, sepse edhe sot e kësaj dite nuk i kemi disa persona të vrarë dhe të zhdukur, personat e zhdukur sot e kësaj dite iu mungojnë familjeve të tyre”, thotë ai.