Foto: Kallxo.com

E dëmtuara: Avokati mi kërkoi 40 mijë euro për trupin gjykues sepse tha ‘nuk fëlliqen me pak’

Në gjykimin ku ish- avokati Haxhi Çekaj po akuzohet për veprën penale të mashtrimit ka dëshmuar e dëmtuara Mirjeta Imeraj, vajza e të akuzuarit në çështjen penale ku Çekaj ishte i përfshirë si avokat i tyre.

Mirjeta Imeraj tregoi për të gjithë rastin që nga momenti i angazhimit të të akuzuarit Haxhi Çekaj si avokat në çështjen penale ku babai i saj po akuzohej për një vrasje, e deri tek takimet e fundit kur edhe e ka simuluar rastin së bashku me policët hetues ndaj Çekajt.

Në dëshminë e saj ajo deklaroi për shumat e mëdha që i kishte dhënë avokatit.

Disa nga këto para, sipas Imerajt, janë dhënë në emër të ekspertizave, ndërkaq 40.000 nga to ia ka dorëzuar të akuzuarit me arsyetimin se do t’ i shkonin trupit gjykues në çështjen penalo- juridike kundër babait të saj.

Imeraj deklaroi se ishte në gjendje të paguante sa do të holla për ekspertizat të cilat sipas saj do të vërtetonin pafajësinë e babait të saj.

Ajo tha se sa herë që i kishte dhënë para Çekajt, kishte shkuar së bashku me Nazmi Selmanajn me qëllim që të ishte dikush prezent dhe dëshmitar kur t’ ia jepte paratë, pasi që Çekaj nuk kishte pranuar që pagesën t’ia bënte nëpërmjet bankës, por vetëm kesh.

“Pagesa e parë ka qenë 5.000 euro. Menjëherë pas arrestimit të babait avokatin e kemi autorizuar më 3 janar 2015. Janë bërë edhe 2000 euro për me shku me marrë ekspertizën në Turqi sepse po vonohet. Po,i kam paguar edhe 5000 euro me një parking në Deçan. Ka qenë para se të fillojë gjykimi.Pas një kohe, ekspertiza, ata kanë lypë mi dërgu dokumentet e fotot e babit për plotësim ekspertize. Na kanë thënë se duhet ta bëjmë edhe një ekspertizë private, se ajo erdh qysh erdh edhe duhet me bë edhe njo në Shqipëri. Për atë ekspertizë i kam paguar 13.000 euro”, deklaroi dëshmitarja për disa nga pagesat të cilat ia kishte bërë tani të akuzuarit.

http://kallxo.com/ish-avokati-i-akuzuar-per-mashtrim-deshton-te-arrije-marreveshje-per-pranim-fajesie/

Madje, ajo deklaroi se ai i kishte kërkuar 5.000 euro në emër të avokatit të palës së dëmtuar në çështjen penale ndaj babait.

“Mi ka kërkuar 5.000 euro në emër të avokatit të palës së dëmtuar pasi që ishin dy ekspertiza, e për mos me kërku avokati i palës së dëmtuar që të bëhet edhe ekspertiza e tretë për ti kundërshtuar dy ekspertizat e para, me arsyetimin se po na merr kohë edhe ia kam dhënë parat”, deklaroi ajo.

Pasi që e dëmtuara deklaroi se nga paratë e saja personale ia kishte dhënë 23.000 euro tani të akuzuarit Çekaj, ajo tha se pasi ka filluar gjykimi ka marrë edhe një thirrje nga ai.

“Më thirrë më thotë ‘hajde shpejt në Pejë’. Jemi takuar në një qebaptore. Më ka thënë se këtu është Kosovë nuk i dihet, se një çekiç mundët me na marrë në qaf, duhet Gjykatës me ia dhonë disa pare se nuk ka drejtësi. Më ka thënë se këtu nuk fëlliqen me pak, kryetarja e trupit gjykues e don dyfishin e ktyne anash (anëtarëve)”, vazhdonte rrëfimin dëshmitarja në sallë të gjykatës.

Ajo tha se në atë takim nuk ishte përmendur shuma konkrete, por se më vonë, sipas saj, ai i kishte kërkuar 20.000 euro për kryetaren e trupit gjykues, ndërkaq nga 10.000 euro për anëtarët.

http://kallxo.com/mungon-i-akuzuari-shtyhet-gjykimi-i-shenjestruar-per-liberalizim-te-vizave/

Pasi kishte marrë edhe një thirrje nga ai, ajo tha se ka lajmëruar Policinë nëpërmjet telefonit nga Norvegjia ku edhe jeton, e pasi ka ardhur në Kosovë e ka lajmëruar rastin edhe në policinë e Prishtinës.

Pasi kishte lajmëruar policinë, ajo së bashku me policët hetues kishin simuluar rastin ku edhe ka dalur në takim me të akuzuarin Çekaj.

Sipas saj, meqenëse nuk kishte prova se ka paguar atë shumë të parave, ajo në takim ka përmendur të gjitha shumat e të hollave që ia kishte dhënë deri në atë moment.

“Jam takuar edhe njëherë me avokatin. Nuk kam pas asnjë dëshmi për paratë që ia kisha dhënë për mbrojtjen e babit tim pasi të gjitha të hollat ja kam dhënë kesh. Në atë takim kemi biseduar për gjithë procesin. Unë me qëllim nuk e përmendi një shumë dhe më thotë harrove se edhe 5.000 euro jon për avokatin, i thashë ‘eh po, mirë e ki se pasna harru’. Këtë e bëra që ai të ma vërtetojë në total se sa të holla ia kam dhënë e kur erdhëm tek trupi gjykues i thashe a i merr ti naj njo prej tyne, më ka thënë ‘jo, jo, te gjitha janë për trupin gjykues’”, deklaroi dëshmitarja.

Ndërkaq, paratë të cilat tani i akuzuari pretendonte se do t’ i shkonin trupit gjykues, sipas dëshmitarës, ia ka dorëzuar në një restorant në Pejë.

Në seancën e radhës e njëjta dëshmitare do të merret në pyetje nga avokati i Haxhi Çekajt, Besnik Berisha.

http://kallxo.com/avokatit-haxhi-cekaj-ndalohet-hyrja-ne-gjykate/

Kjo seancë është njëra ndër rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën M.I., nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas aktakuzës, Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B, babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportimet për këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.