Dy Vrasje si Dëshmi për Kërcënim të ish-Inspektorëve

Muhamet Gashi, ish drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës ishte dëshmitarë në gjykimin në të cilin për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohen 10 ish-zyrtarë të kësaj drejtorie.

Ai u ftua të dëshmojë nga mbrojtja e të akuzuarve.

Gashi në dëshminë e tij foli për vështirësitë me të cilat ishin ballafaquar ish-vartësit e tij që po akuzohen  se nuk kanë ekzekutuar disa vendime për rrënim të objekteve pa leje.

“Sektori  më i ndjeshëm jo vetëm në Komunën e Prishtinës, por edhe në tërëKosovën ka qenë sektori i ndërtimit. Ky sektor është përballur me vështirësi të shumta, duke filluar nga numri i vogël i inspektorëve, nga hapësira e gjerë të cilën ata e kanë kontrolluar dhe duke marrë parasysh edhe punët tjera që kanë dalë jashtë domenit të tyre që janë angazhuar kohë pas kohe,” tha Gashi.

Gashi tregoi se përveç rrezikut shumë herë ishin përballur edhe me kërcënime.

“Mos të flasim edhe për kërcënimet që kanë qenë evidente, jo vetëm ndaj inspektorëve, por kërcënime kam pasur disa herë edhe në zyrën time. Kanë ardhur njerëzit janë kërcënuar e përveç kësaj edhe kompania e rrënimit nuk ka poseduar kapacitet e mjaftueshme,” tha Gashi.

Gashit gjithashtu tregoi se disa herë janë sulmuar edhe fizikisht inspektorët e Komunës së Prishtinës, ndërsa  për të ilustruar rrezikun për të kryer detyrën, ai përmendi edhe dy vrasje që kanë ndodhur në kryeqytet pas luftës.

“Është mirë të ceket në këtë rast se në Komunën e Prishtinës kanë ndodhur edhe dy raste të mëdha të cilat pas luftës ka ndodh një rast dhe në vitin 2001 më duket se është vrarë Rexhep Luci, drejtori i Planifikimit dhe Urbanizimit dhe Remzi Salihu për probleme shumë më të vogla dhe këtë po e them për analogji,” tha Gashi.

Arkitekti Rexhep Luci qe vrarë në shtator të vitit 2000, ndërsa ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës Remzi Salihu në tetor të 2011-ës.

Pas përfundimit të seancës, avokati Skender Musa, e cilësoi shumë të rëndësishme dëshminë e Muhamet Gashit.

“Seanca e dëshmisë së tij ka qenë shumë e rëndësishme për faktin se këta inspektorë akuzohen në kohën e menaxhimit të tij dhe gjithë ato dukuri që përshkruhen në aktakuzë janë pothuajse në periudhën më intensive, në kohën kur ka menaxhuar me inspektoratin dhe ka qenë një person që megjithatë ne mendojmë se i ka ditë procedurat, ngjarjet në terren dhe për të gjitha objektet edhe vendimet për rrënim, aktet për rrënim, ka pasë njohuri edhe për personat që kanë qenë kompetentë për ta bërë ekzekutimin e rrënimeve dhe për pajisje me lejet e ndërtimit dhe për të gjitha punët që kanë qenë aty,” tha Musa.

Seanca e radhës do të mbahet në muajin prill.

Më 20 janar prokurorja Drita Hajdari ndërtimet pa leje në Komunën e Prishtinës i krahasoi me dëmet e shkaktuara nga lufta e viteve 1997-1999,

Prokurororja Hajdari Krahason Ndërtimet pa Leje me Dëmet e Luftës

[interaction id=”56c78d1eee2dfdd3606b7643″]