Një fshat në Kosovë pas luftës. Foto: Flickr/ Marietta Amarcord.
Në kërkim nga INTERPOL-i, ish-polici nga Ferizaj që akuzohet për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë
Prokurorja speciale, Drita Hajdari ka thënë se kanë ngritur 33 aktakuza për krime lufte në Kosovë me 89 të pandehur.
Ajo në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur për një rast të dhunimit seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Kemi intervistuar viktimën, dëshmitarë të rastit e kemi mbledhur edhe prova të tjera. Kemi qenë në pritje mos po arrijmë me siguru prezencën fizike të të pandehurit. I kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore për me ardh deri tek personi i dyshuar” – tha Hajdari.
Ajo ka shpjeguar se kur e ka kuptuar Prokuroria Speciale që personi i kërkuar (ish-polic në Ferizaj), nuk gjendet në Kosovë, ky person është në kërkim të INTERPOL-it.
“Interpoli ka detyrë për me arrestu pastaj fillon procedura e ekstradimit, përmes Ministrisë së Drejtësisë. Çështja e ekstradimit është puro politike, kemi pasur raste ku janë arrestuar nga INTERPOL-i, por shteti në të cilin janë arrestuar, ka refuzuar me i ekstradu në Kosovë” – tha tutje Hajdari.
Hajdari ka përmendur edhe Malin e Zi, i cili para një kohë refuzoj ta ekstradoj Momqillo Vukotiq, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës në vitin 1999.
“Ministri i Drejtësisë së Malit të Zi kishte refuzuar ta nënshkruajë vendimin për ekstradim me një arsyetim që kinse nuk janë plotësuar kushtet për ekstradim, që mungojnë provat, edhe pse vendimi i tij për mos ekstradim është në kundërshtim direkt me vendimin e Gjykatës së Malit të Zi, sepse kur ne e iniciojmë procedurën e ekstradimit, kjo kërkesë kalon një filtër nëpër gjykata kompetente, që kjo ka thënë pra se janë plotësuar kushtet dhe i kanë rekomandu ministrit me ekstradu gjë që se ka bërë” – thotë tutje prokurorja.
Prokurorja Hajdari ka treguar edhe për një rast të ekstradimit me shtetin e Hungarisë.
Ajo thotë se INTERPOL-i kishte arrestuar ish policin nga Ferizaj që po kërkohet për dhunim seksual gjatë luftës, por që Hungaria nuk e ekstradoi në Kosovë por në Serbi.
“Ky personi, rasti i Ferizajt ishte i arrestuar në Hungari mirëpo kur ne kemi iniciuar procedurën e ekstradimit ka ndodh që edhe Serbia të parashtroj një kerkesë konkurruese për ekstradimin e atij personi. Edhe në vend që të ekstradohet në Kosovë ku është kryer vepra penale, i njejëti është ekstraduar në Serbi sepse kjo kishte premtuar se do të zhvillonte një procedurë ndaj tij” – ka deklaruar Hajdari.
Ajo ka shtuar se me që nuk ka pasur mundësi të tjera lidhur me këtë rast, ka ngritur aktakuzë në mungesë.
“Ky person nuk është në burg në Serbi asnjë ditë s’ka qenë në burg. I lirë është. Por a mund ta imagjinoni një situatë kur viktima jonë e dhunës seksuale shkon në Serbi me dëshmu” – thotë tutje ajo.