Të akuzuarit për krime lufte në Kosovë ftohen publikisht nga Gjykata të paraqiten në gjykim
Dejan Raciq dhe Millan Jovanoviq janë dy serbët e akuzuar për krime lufte në Kosovë, të cilët Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës po i fton të paraqiten në gjykim për akuzat të cilat i rëndojnë nga Prokuroria Speciale.
Aktakuzat ndaj Dejan Raciq Millan Jovanoviq janë ngritur më 27 nëntor të këtij viti.
Të dy akuzohen nga Prokuoria Speciale se kanë ushtruar dhunë seksuale ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat serbe kundër popullatës civile.
“…Gjykata i bën thirrje të akuzuarit Dejan Raciq të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar më datë dhe kohë si më lartë (20.02.2024, në ora 09:30)”- thuhet në ftesën e Gjykatës.
Kurse, Millan Jovankoviq është ftuar nga gjykata që të paraqitet në gjykimin ndaj tij i cili planifikohet të mbahet më 21.02.2024, në Departamentin Special të kësaj gjykate.
Ata ngarkohen me veprën penale në bashkëkryerje të “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së, i cili ka qenë në fuqi ne kohën e kryerjes së veprës penale.
Kurse nga Kodi Penal i Kosovës, kjo vepër inkriminohet me nenin 143 “Krime kundër njerëzimit”, paragrafi1, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të këtij kodi.
Millan Jovanoviq, sipas dosjes së prokurorisë ishte zyrtar policor në komunën e Ferizajt, kurse Dejan Raciq ka qenë pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë.
Përmes një konference për media, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se ka ngritur 33 aktakuza për 89 persona në lidhje me krimet e luftës.
“Në mesin e këtyre rasteve ka qenë edhe ai për masakrën e Mejës dhe shumë raste të tjera. Ju njoftoj se deri më tani janë ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona të akuzuar. Kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë, kanë qenë në Serbi. Kjo ka paraqitur vështirësi në ngritjen e aktakuzave, mirëpo kjo rrethanë nuk na ka ndalë” – kishte thënë prokurorja Drita Hajdari në konferencë.
Ndërsa prokurori Ilir Morina tha se në lidhje me masakrën e Dubravës, deri më tani janë 88 të pandehur, për të cilën masakër veç se ka filluar shqyrtimi gjyqësor.
“Janë 88 të pandehur, ky hetim po vazhdon që një kohë të gjatë. Vetëm një të pandehur e kemi në paraburgim. Për të pandehurit e tjerë vazhdojnë hetimet, masakra nuk përfundon me këtë aktakuzë, jemi duke vazhduar me hetime” – kishte thënë prokurori Morina.