Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë masive për Masakrën e Mejës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Komunës së Gjakovës.

‘’Prokuroria Speciale njofton se në periudhën 27-29 prill 1999, ishte zhvilluar një operacion i përbashkët dhe mirë i organizuar i UJ-së dhe MPB-së, në të cilin morën pjesë edhe anëtarë të grupeve paramilitare. Në atë operacion janë vrarë treqind e shtatëdhjetë (370) civilë që nuk merrnin pjesë në luftime në momentin e vrasjes. Përveç vrasjeve, operacioni përfshinte dëbimin e mijëra civilëve nga ai regjion, djegien e shtëpive të tyre dhe dërgimin e dhunshëm për në Shqipëri. Këto dëbime ishin të përfshira me keqtrajtime dhe konfiskime të dokumenteve personale të dëbuarve. Për këtë krim janë akuzuar pesëdhjetë e tre (53) të pandehur prej të cilëve gjashtëmbëdhjetë (16) ishin të pozicionuar në strukturat të rëndësishme ushtarake dhe policore të Serbisë’’ – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Të pandehurit akuzohen për vepër penale në bashkëkryerje – Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminiuar si – Krimet kundër njerëzimit sipas dispozitave ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përmes konferencës për media të mbajtur të premten nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me hetimet dhe aktakuzat e ngritura për krimet e luftës në Kosovë, prokurorja speciale Drita Hajdari tha se ka hetuar krimet e luftës në rajonin e Rekës së Keqe në Gjakovë dhe se Masakra e Mejës është më e madhja dhe më tragjikja në luftën e Kosovës.

E njëjta tha se në Masakrën e Mejës ishin të përfshirë ushtria jugosllave, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe paramilitarë, ku u vranë 370 civilë.

“Viktimat ishin nga fshatrat Rekë e Keqe, që për shumicën e tyre kjo prokurori ka siguruar prova përkatëse. Operacioni përshinte dëbimin e mijëra civilëve nga ai regjion, djegien e shtëpive dhe dërgimin e dhunshëm në Shqipëri. Kemi konstatuar se me siguri është masakra më e madhe dhe më tragjike në Kosovë gjatë luftës. Kjo aktakuzë do të kalojë nëpër shqyrtim gjyqësor” – ka thënë prokurorja Hajdari.

Tutje, prokurorja Hajdari ka bërë të ditur se rasti ishte trashëguar nga EULEX, që kishte hapur hetim fillimisht kundër 18 personave, por Prokuroria Speciale më vonë kishte zgjeruar hetimet, duke arritur që t’i përfshijë në aktakuza gjithsej 53 persona, për masakrën e Mejës.

“Aktakuza është e strukturuar në tri pjesë që përfshinë grupin e 5 të pandehurve që kanë planifikuar masakrën. E dyta përfshinë 11 të pandehur që bashkë me grupin e parë kanë zbatuar planin për masakër. Grupi i tretë me 37 të pandehur përbën ekzekutorët, ata që kanë kryer masakrën ose kanë kontribuar në mënyrë tjetër” – tha prokurorja Drita Hajdari.