Vendi ku plasi bomba në diskotekën “Bahçe” në Pejë – Foto: KALLXO.com

Dy të Plagosur nga Bomba në Pejë

Dy persona janë plagosur mbrëmë nga shpërthimi i një bombe në lokalin “Bahçe” në qendër të Pejës. Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Pejës, Xhevat Ibraj.
“Rasti ka ndodhur në lokalin “Bahçe” në Pejë mbrëmë rreth orës 00:40, përkatësisht në rrugën “Mbreti Pirro”. Mjeti shpërthyes dyshohet të ketë qenë AK (granatë dore). Nga shpërthimi dy persona janë lënduar”, ka treguar zëdhënësi i Policisë.

Sipas Ibrajt, njëri nga të lënduarit (E.T.) pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin Rajonal të Pejës është dërguar me urgjencë në QKUK.

“Sipas informacioneve të Policisë gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë. Personi tjetër i lënduar është E.H, i cili pas tretmanit mjekësor në Spitalin e Pejës është liruar për tretman të mëtutjeshëm në shtëpi”, ka theksuar Xhevat Ibraj.
Policia, sipas Ibrajt, ende nuk ka identifikuar autorin apo autorët e këtij rasti.

“Sapo jemi njoftuar për rastin menjëherë njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në bashkëpunim me prokurorin e shtetit njësitet hetuese policore kanë përfunduar me këqyrjen e vendit të ngjarjes. Për momentin jemi duke hetuar në disa pista hetimi. Ende nuk kemi të identifikuar persona të dyshimtë”, tha Ibraj për KALLXO.com

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj, tha së ende nuk dihet motivi i këtij sulmi.

Bahce1 Bahce2 Bahce3