Duka Ende Shpreson në Futbollistë nga Kosova

Armando Duka, kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit gjatë takimit të sotëm me ministrin e Sportit Kujtim Shala dhe homologun e tij Fadil Vokrri nuk e përjashtoi mundësinë që edhe në të ardhmen kosovarët të luajnë për Shqipërinë.

“Unë nuk mund të fshehë dëshirën që çdo futbollist i mirë të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë dhe gjithmonë do ta them këtë, por do të jetë vendimi i futbollistit se për kë do të luajë,” tha Duka.

Por ai siguroi se asnjë futbollist sado i mirë që të jetë nuk do të sjellë konflikt në mes të federatave shqiptare dhe kosovare të futbollit.

Dukës, ministri i Sportit Kujtim Shala i dhuroi sot mirënjohje për kontributin në ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar.

Kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit ministri ia dha edhe një fanellë me mbishkrimin “Dardanët” dhe pjesën e poezisë së poetit Ali Podrimja që tashmë është bërë slogan i tifozërisë kosovare “Unë, biri yt Kosovë”.

Shala tha se bashkëpunimi mes dy federatave do të vazhdojë edhe më tutje.

“Unë jam i bindur duke pasur parasysh punën tuaj dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës në anën tjetër që bashkëpunimi do të vazhdojë që ndërkëmbimet do të jenë të shumta dhe që të dy vendet do të përfaqësohen shumë mirë,” tha  ministri Shala.

Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA gjatë majit të këtij viti, ndërsa është pjesë e kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusi 2018”.

Serbia pranimin e Kosovës në organizatat evropiane dhe botërore të futbollit e ka dërguar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Këtë veprim të federatës serbe të futbollit Duka e cilësoi absurd.

Kosova nga tri ndeshjet kualifikuese në botëror e ka vetëm një pikë nga barazimi debutues me Finlandën.