Apeli lë në fuqi pezullimin nga detyra të Armando Dukës

Gjykata e Apelit të Tiranës la në fuqi pezullimin nga detyra të Dukës dhe 2 zyrtarëve të tjerë të FSHF.

Duka akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh për shkak të manipulimeve që u bënë me zgjedhjet në shoqatat rajonale të futbollit.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme kërkesa e Dukës për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes Gentian Shala u rrëzua dhe u vendos që seanca të vazhdojë me të njëjtin gjyqtar. Vendimi për rrëzimin e kërkesës u bë nga gjyqtari Ilir Toska, i cili tha se nuk ka asnjë konflikt.

Të martën Armand Duka u rikonfirmua President i Federatës në zgjedhjet e mbajtura nga Asambleja e Përgjithshme.

Zgjedhjet për kreun e ri të FSHF-së ishin vendosur që të mbaheshin në datën 2 mars, por Gjykata e Tiranës, pezulloi garën deri në shqyrtimin e padive të Shoqatave Rajonale për manipulim të procesit, e më konkretisht të shoqatës së Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës.

Armand Duka mblodhi sërish Asamblenë dhe vendosi që procesi të mbahet më 15 mars.

Gjykata e Tiranës paralajmëroi se nëse drejtuesit e FSHF-së do të vijonin me procesin zgjedhor në kundërshtim me masën e sigurisë që ajo ka dhënë, shkelësit do të dënohen me burg që sipas kodit penal shkon gjer në 3 vite./TopChanel