Foto: MKRS

Vlora Dumoshi nderon me mirënjohje alpinisten Mrika Nikçi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka nderuar me mirënjohje alpinisten Mrika Nikçi.

Këtë mirënjohje, ministrja Vlora Dumoshi alpinistes Nikçi ia dorëzoi gjatë një takimi të zhvilluar sot në MKRS.

Përmes një komunikate për media, MKRS ka bërë të ditur se mirënjohja Nikçit i është ndarë për rezultatet e arritura në fushën e alpinizmit.

Sipas MKRS-së, alpinistja Mrika Nikçi është vajza e parë në botë e cila i ka pushtuar 7 majat më të larta në 7 kontinente ende pa i mbushur 18 vjet.

“Puna dhe angazhimi juaj është një motivim i madh për rininë e vendit tonë sepse ju keni arritur të dëshmoni se me punë dhe angazhim gjithçka arrihet. Andaj unë po ju dorëzoj këtë mirënjohje si shenjë motivimi shtesë për ju që të vazhdoni tutje dhe të arrini suksese tjera të njëpasnjëshme në të ardhmen”, citohet të ketë thënë ministrja Dumoshi, sipas komunikatës.

Ndërsa për alpinisten Nikçi, sipas MKRS-së, kjo mirënjohje është një motivim shtesë për të shtyrë tutje arritjet në alpinizëm.