Drejtori: Shumë Prona Komunale në Pejë të Uzurpuara

Brenda katër muajve Komuna e Pejës do mund të bëjë identifikimin e të gjitha pronave komunale përmes bashkëpunimit me Organizatën “Demos”.

Projekti i financuar nga “Demosi” zviceran ka për qëllim që të zbulojë edhe pronat publike të uzurpuara.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com drejtori për Çështje Juridike dhe Pronësore në Komunën e Pejës, Edmond Shala.

“ Në të njëjtën kohë projekti është edhe për atë qellim ( identifikimin e pronave të uzurpuara. Të shohim gjendjen reale me të cilën shihet së Komuna e Pejës sa disponon pasuri dhe atë pasuri në çfarë gjendje është- e uzurpuar, e lirë, apo të shihet gjendja momentale e atyre ngastrave,” tha ai.

Sipas tij, gjatë implementimit të projektit ka rezultuar se shumica e pronave komunale brenda qytetit  janë të  uzurpuara.

“ Fatkeqësisht mundemi të themi  po, shumica e pronave ( komunale) sa i përket qytetit të Pejës, janë të uzurpuara,” tha ai për KALLXO.com

Drejtori Shala tha së pas përmbylljes së projektit do merren të gjitha masat ligjore lidhur me pronat komunale.

Ai u bëri apel qytetarëve të cilët shfrytëzojnë pronat komunale të sjellin dokumentet relevante që të veprohet sipas Ligjit për Legalizimin e Pronave.