Drejtori i Burgjeve Flet për Dorëheqjet që Mund të Pasojnë

Sokol Zogaj, Drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, tha se hetimet që do të kryhen në rastin e vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren të shtunën e kaluar, mund të rezultojnë me pasoja për stafin.

Gjashtë ditë pasi Astrit Dehari, 26 vjeçar, student dhe aktivist  i Lëvizjes Vetëvendosje vdiq në rrethana akoma të dyshimta në qendrën e paraburgimit në Prizren, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe institucionet tjera relevante po presin përfundimin e hetimeve për marrje të përgjegjësisë.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, i moderuar nga Jeta Xharra, këtë javë iu kushtua sigurisë në burgje dhe punës së Shërbimit Korrektues së Kosovës.

Zogaj u zotua se do të kërkohet përgjegjësi për  rastin e Deharit nëse evidentohen gabime nga stafi i burgut.

“Varësisht prej hetimeve, nëse ka gabime nga ana e stafit, dikush duhet me u përgjegjë, e në çfarë niveli unë nuk di të them”, tha Zogaj.

Mirëpo, Kreshnik Gashi, Redaktor i emisionit ‘Drjetësia në Kosovë’, konsideron se në këtë rast do të ishte e udhës një dorëheqje morale edhe pa u përfunduar hetimet.

“Përgjegjësia duhet të jepet, ndoshta në këto raste të cilat kanë impakt të madh në publik, më shpejt edhe pa u kry hetimet, të jetë dorëheqje morale e nëse dalin të pafajshëm i kthejmë në punë lirisht”,  tha Gashi.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta shikoni në linkun më poshtë: