Ish të burgosurit mes stigmës dhe mbijetesës

Kosova shpenzon rreth 900 euro në muaj për të mbajtur në burg një të dënuar.

Kjo e dhënë na tregon që buxheti i shtetit shpenzon para të majme në emër të trajtimit të të burgosurve.

Vendi ka rreth 2 mijë të burgosur momentalisht ndërsa të dhënat nga sistemi i drejtësisë tregojnë për nivele shqetësuese të recidivizmit. Pra kemi numër të madh të njerëzve që dënohen, vuajnë dënimet dhe sërish kryejnë krime.

Sistemi juridik në vend promovon që atyre që futen në burg t`u ofrohen mundësi për t`u risocializuar mirëpo të dhënat na tregojnë se të burgosurve u ofrohen pak mundësi dhe si rrjedhojë mundësia e vetme për ta është t`i kthehen rrugës së krimit.

Për dallim nga të burgosurit e tjerë në rastet e terrorizmit, Kosova ka testuar një model të veçantë rezultatet e të cilit janë shpresëdhënëse.

Të dënuarit për terrorizëm janë futur në programe të mbështetjes të cilat kanë garantuar punësim e vetëpunësim të tyre. Si rrjedhojë në vend kemi disa ish të dënuar që tani janë punësuar dhe kanë hapur biznese.

Në Kosovë tashmë është testuar një model ku të burgosurit dhe të dënuarit mund të punësohen.

Për këtë model, Kreshnik Gashi nga KALLXO.com ka thënë se ky model ka treguar disa rezultate të mira.

“Disa prej të dënuarve për terrorizëm që janë vlerësuar me rrezikshmëri të lartë dhe potencialisht persona me probleme shumë të mëdha me u rikyç në jetë, fal këtyre programeve që i kanë ndjekur kanë mbërri me u rikthy në jetë dhe me nis procesin e risocializimit dhe të shkëputjes prej veprimtarive ilegale kriminale”, tha Gashi

Ai ka shtuar se ka persona të cilët janë kthyer nga zonat e luftës janë dënuar, kanë vuajtur dënimin dhe tash ata janë risocializuar dhe kanë bizneset e tyre.

“Ose janë të punësuar në kompani të ndryshme. Pra një pjesë e tyre mbërrin me rigjeneru fitim për familjet e tyre dhe mirëqenie. Ky proces është shumë i rëndësishëm sepse kur dikush del prej burgu sfidën e parë e kanë at ekonomike dhe në momentin që vendi nuk garanton qëndrueshmëri ekonomike për ta, atëherë rruga e parë e tyre është tek njerëzit që i kanë orientuar drejt krimit”, thotë Gashi.

Gashi më tej ka thënë se ambienti për risocializimin e këtyre personave nuk është mjaftueshëm i përshtatshëm.

“Andaj ne kemi njerëz recidivist që kryejnë krime të vazhdueshme ose obligohen për të bërë gjëra të tilla për shkak se nuk kanë një punë të sigurt”, thotë tutje ai.

Eksperti i risocializimit, Lulzim Fushtica në #KallxoPernime ka thënë se personat e dënuar për veprat e terrorizmit janë kategori e veçantë.

“Kur është hartuar strategjia për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit të dhunshëm, në fillim nuk i është dhënë shumë rëndësi risocializimit sepse me rëndësi ka qenë parandalimi. Tek në vitet më vonë pra 2019-2020 e kemi parë të domosdoshme nevojën që të punohet me shërbimin korrektues”, tha Fushtica.

Tutje ai tha se procesi i rehabilitimit të tyre fillon nga burgu.

“Veprat të cilat ata janë dënuar janë të veçanta dhe recidivizmi nuk duhet të ndodh. Në këtë rast nuk duhet t`u lihet vetëm projekteve të donatorëve por institucionet shtetërore duhet të jenë më vigjilente”, thotë Fushtica.

Ai ka thënë se niveli lokal nuk iu ka kushtuar aspak vëmendje kësaj kategorie.

“Komuniteti ku jetojnë duhet të përgatitet që rehabilitimi dhe rikthimi në vendin e tyre, duhet të jetë i vetëqëndrueshëm. Nëse shteti dështon, ata kthehen në financimin e rrjetit terrorist dhe janë të gatshëm ta marrin këtë detyrë. Nuk kemi pas raste të recidivizmit”, thotë tutje ai.

Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, në emisionin #KallxoPernime, ku është diskutuar rreth punësimit të të burgosurve, tha se sa i përket kësaj çështjeje është bërë pak.

Sipas tij, kontratat që janë bërë me organizata të ndryshme private po ashtu kanë qenë shumë të pakta në numër.

“Shumë pak kanë qenë të integruar por gjithmonë janë bazuar në atë rrogën 2 euro, që ajo nuk është as për gjëra elementare por është dashur që të hapen fabrika si në Dubravë në mënyrë që të burgosurit të mund ta mbajnë edhe familjen’’ – tha Zogaj.

Zogaj ka thënë se ka kërkuar shumë herë nga Qeveria që të bëhet një zgjidhje për këta të burgosur por, sipas tij, kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Për vetë faktin që një i burgosur ka mbetur ende me dy euro në ditë që paguhet mendoj që është teori e gabuar” – tha më tej ai.

 ‘Drena’, e gatshme të punësoj ish të burgosur

Astrit Bunjaku, përfaqësues i kompanisë “Drena” ka thënë se janë të gatshëm që të punësojnë persona të cilët sapo kanë dalë nga burgu.

“Mundemi me punësu si punëtor të rregullt, mundemi me i dërgu edhe në lokacione të ndryshme pos fabrikës, kudo që ata do ta kishin më afër. P.sh. në Dubravë ku e kemi fermën, ndërtimtari në Prishtinë” – tha ai.

Sokol Zogaj në anën tjëtër tha se kompanitë private, duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi marr parasysh që shumica e të rinjve po e braktisin shtetin.

“Tash me i punësu të burgosurit mund ta bëjnë edhe me çmim më të lirë edhe kujdesi i tyre është më i madh por edhe punojnë më shumë”, thotë Zogaj.

Arsim Sherifi nga Qendra Korrektuese e Kosovës ka thënë se me KEK-un janë duke e bërë një marrëveshje për punësimin e të burgosurve.

“Kemi 18 të burgosur nga Qendra Korrektuese në Smerkonicë që punojnë në kompani private. Punojnë në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara, por edhe jemi shumë të interesuar që kompanitë të bashkëpunojnë dhe ai që do le të punësohet”, thotë ai.

Në fund të vitit 2019, Shërbimi Korrektues kishte njoftuar se kishte filluar punësimi i personave që janë në vuajtje të dënimit në burgun e hapur të Smrekonicës, jashtë këtij institucioni.

“Shërbimin Korrektues i Kosovës ka filluar zbatimin e Udhëzimit Administrativ në Qendrën Korrektuese të tipit të hapur të Smrekonicës për punën e të burgosurve jashtë institucionit korrektues, me ç ‘rast  shtatë të dënuar kanë filluar punën jashtë këtij institucioni”, ka njoftuar SHKK.

 

Shtatë të burgosur fillojnë punën jashtë burgut

 

Eksperti i risocializimit, Lulzim Fushtica, ka thënë se problemi është tek ata që posa dalë nga burgu.

“Problemi është te këta, si t`i integrojmë sepse sa di unë kompanitë hezitojnë t`i punësojnë ata. Gjatë kryerjes së dënimit ata e kryejnë një lloj zanati, marrin një diplomë dhe janë të gatshëm për tregun e punës. Për këta persona është me rëndësi që të mos kthehen rrugës së krimit, pra kjo është më me rëndësi sesa punësimi i atyre që janë në vuajtje të dënimit”, tha Fushtica.

Por sipas redaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi, problemi fillon qysh nga paraburgimi.

“Shumë të dënuar, kohën e vuajtjes së dënimit e kalojnë në paraburgim edhe ata nuk mujnë me hy në program për shkak se gjykatat vonojnë t`i trajtojnë rastet. Programet nisin vetëm kur ka vendim final. Por edhe kur ka vendim final, kemi hezitim nga ana e gjykatës për me pa mundësinë se qysh mos me i mbajt njerëzit në burg, pra me ju dhanë opsione të tjera”, tha Gashi.

Sipas tij, gjykatat e kanë mundësinë ligjore që të mos ia humbin vendin e punës edhe nëse dikush shkon në vuajtje të dënimit.

“Teoria e njeh që ai me vazhdu 8 orë në punë edhe me shku kohën tjëtër në vuajte të dënimit. Mirëpo ne ende nuk kemi asnjë vendim të tillë që gjykata ia ka ruajt dikujt vendin e punës”, tha tutje ai.

Ai ka kritikuar edhe komunat pasi sipas tij ato nuk bëjnë asgjë për këtë kategori, duke shtuar që komunat e shohin veten vetëm si ofrues të shërbimeve komunale.

“Niveli lokal duhet të ketë komunikim të vazhdueshëm me atë qëndror në mënyrë që me intervenu në zona të caktume për me i shmang veprimtaritë kriminale”, tha Gashi.

Adem Shala nga Shërbimi Sprovues i Kosovës tha se koncepti i dënimeve alternative është bërë që të ruhet lidhja sociale.

“Shërbimi sprovues në vazhdimësi ka bërë fushata dhe kërkesa që të rritet numri i shqiptimeve të dënimeve alternative, ndonëse ky numër i dënimeve ka vazhduar dita ditës të rritet dhe ky shërbim ka treguar gatishmërinë që të përballet me të gjitha rastet që të përfundojnë ashtu siç e kërkon vendimi i gjykatës dhe kjo në një formë ka marr kohë të gjatë”, tha Shala.

Tutje ai tha se Shërbimi Sprovues ka kapacitete humane për t`u përballur me të gjitha rastet e dënimeve alternative.

“Punëtorët janë me përgatitje adekuate që kryesisht arma kryesore e këtij shërbimi ka qenë aspekti i këshillimit, suportimit emocional e social. Deri viteve të fundit stigma e këtyre personave ka qenë shumë e madhe dhe punësimi i tyre ka qenë mjaft i vështirë”, tha Shala.

Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues në KALLXO.com, ka thënë se nuk është investuar asgjë në parandalim të krimit.

Gashi ka shtuar se nuk ekziston asnjë program në asnjë komunë që do të parandalonte zhvillimin e kriminalitetit.

“Ne krimin e shohim vetëm ndëshkim, vetëm burg. Kemi pasur vizion vetëm me i mbyllë njerëzit brenda, me i dënu sipas stilit të kohës së kaluar, edhe hala mendësia e njerëzve këtu kërkon vetëm burgim, jo risocializim, jo parandalim” – tha Gashi.

Më tej ai ka thënë se shteti pikërisht në këto dy fusha duhet të fokusohet, risocializim dhe parandalim.

“E para mos me i lënë njerëzit me shku n’burg fare, pra me i eduku njerëzit për krimin, për efektin që mund ta ketë, me i dhënë shancën e parë me u rikthy në jetë, me u dhënë sinjale që nëse ju theni ligje, këqyre çka ju gjen. Për dikë më problematike kish me qenë nëse e qesin midis Prishtinës me i fshi rrugët sesa me çu në burg, ose me i pagu 500 euro për një revole’’ – tha ai.

Gashi ka thënë se nuk mund të ndalohet armëmbajtja pa leje nëse dënohet me vetëm 500 euro.

“Nëse i kish detyru shteti këta që sillen me “Range Rover” nëpër Prishtinë me i fshi rrugët për shkak të armëmbajtjes pa leje, ishin matë dy herë” – tha më tej ai.

Në këtë debat u fol edhe për zyret e punësimit, ku u tha se deri më tash asnjë ish i burgosur nuk është i punësuar nga këto zyre.

Eksperti i risocializimit, Lulzim Fushtica, ka thënë se arsye për këtë mund të jetë edhe mosinformimi.

“Informimi i të burgosurve duhet të filloj nga Shërbimi Korrektues. I burgosuri para se të dalë nga burgu duhet të informohet ”, thotë ai.

Adem Shala nga Shërbimi Sprovues i Kosovës, ka thënë se qytetarët nuk besojnë në institucione.

“Qytetarët nuk besojnë se mund të punësohen përmes Entit të Punësimit. Por për këtë secili institucion duhet me kry rolin e vet, në këtë rast Shërbimi Sprovues i udhëzon personat që i ka në mbikëqyrje me u lajmëru në Entet e Punësimit, por është edhe vullneti i personit”, tha ai.

Në anën tjetër, Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues në KALLXO.com, tha se institucionet duhet ta ndryshojnë qasjen nëse e kanë parë që asnjë person nuk është lajmëruar në zyrën e punësimit.

“Ata tash duhet të shkojnë tek të burgosurit, ata duhet të lajmërohen atje, ndoshta me shku me mbajt ndonjë ligjeratë, ndoshta me gjetë një të burgosur me punësu e me shndërru në model se si kanë arritur ta punësojnë dikë të posa dalë nga burgu”, tha Gashi.

Arsim Sherifi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka thënë se nuk pajtohet që brenda këtij shërbimi nuk ka informacione.

“Është zyrtari social në të gjitha qendrat që është në kontakt të drejtpërdrejt me të burgosurit dhe i njofton ata, i kanë njoftuar edhe për me apliku për punë”, tha Sherifi.

Kreshnik Gashi, ka përmendur Hanin e Elezit, si njërën ndër komunat më të stigmatizuara në Kosovës për sa i përket ekstremizmit.

“Kanë qenë 28 persona që kanë shkuar në Siri dhe i gjithë qyteti është një pikë e zezë, është dashur shumë kohë e shumë punë me mbrri me hek atë stigmë, pra e paragjykojnë komunitetin”, tha ai.

Në vitin 2018, emisioni, ‘Drejtësia në Kosovë’ ka bërë një hulumtim për gjendjen në të cilën ndodhen të rikthyerit nga lufta në Siri.

Hulumtimi tregon se komuna e Hanit të Elezit nuk ka asnjë psikolog të punësuar ndërsa në komunën e Kaçanikut familjet e të vrarëve nuk arrijnë të marrin ndihmat sociale.

Emisioni shfaqi intervistat me dy të rikthyer nga Siria dhe përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore që merren me këtë veprimtari.

VIDEO – Rrëfimi për luftëtarët e kthyer nga Siria

Gashi më tej ka shtuar se për shkak të stigmës, persona të tillë nuk kanë arritur që të punësohen në qytetet e tyre.

“Janë punësuar në qytetet e tjera, ku e kanë një identitet të ri, ku kërkush nuk i njeh ku askush s’mundet me ditë të kalumen e tyre. Ka pasur edhe të atillë që janë punësuar në kompani të ndryshme”, tha Gashi.

Për të, çdo person që ka kryer vëpër penale, e ka të drejtën e pendimit.

“Ne nuk mund t`i paragjykojmë njerëzit gjithë jetën, pse ka bërë një veprim, ata m`u stigmatizu”, tha më tej Gashi.

Ndërsa nga kompania “Drena”, Astrit Bunjaku ka thënë se beson që e njëjta stigmë që është në komunitet është edhe në biznese, për sa i përket punësimit të ish të burgosurve.

“Bizneset janë të udhëhequra nga persona që jetojnë në këto komunitete, mirëpo me një fushatë senzibilizuese, mendoj që largohet ky stigmatizim ose të paktën të punojnë me e largu”, tha Bunjaku.

Ndryshe gjykata lëshon një certifikatë e cila tregon që je apo s’je nën hetime në raste të punësimit, kur punëdhënësi ta kërkon një të tillë.

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com ka thënë se kujtdo që i mohohet punësimi për shkak të kësaj certifikate, po ta kontestonte në gjykatë, do ta fitonte rastin.

“Kjo certifikatë nuk është dashur ta mohonte punësimin, për shkak se është dashur të ketë vendim nga gjykata se të ndalohet punësimi, pothuajse të gjitha kopmanitë ta kërkojnë një certifikatë të tillë”, tha Gashi.

Por sipas tij problemi është tek sistemi i drejtësisë.

“Kanë vendos barriera në punësim, kur kjo certifikatë është është për informim, pra nuk tregon që gjykata ta ka ndalu punësimin. Gjykata mundet me ja ndalu dikujt punësimin vetëm me një vendim të veçantë”, tha Gashi.

Ndryshe këto certifikata që nga fundi i vitit të kaluar mund të nxirren edhe online, pra pa pasur nevojë qytetarët të shkojnë fizikisht në Gjykatë.

Qytetarët tashmë mund të pajisen me certifikatën e evidencës penale nga shtëpia