Kompania "Drena" premton punësim të personave të sapodalë nga burgu

Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet rreth punësimit të të burgosurve, tha se sa i përket kësaj çështjeje është bërë pak.

Sipas tij, kontratat që janë bërë me organizata të ndryshme private po ashtu kanë qenë shumë të pakta në numër.

“Shumë pak kanë qenë të integruar por gjithmonë janë bazuar në atë rrogën 2 euro, që ajo nuk është as për gjëra elementare por është dashur që të hapen fabrika si në Dubravë në mënyrë që të burgosurit të mund ta mbajnë edhe familjen’’ – tha Zogaj.

Zogaj ka thënë se ka kërkuar shumë herë nga Qeveria që të bëhet një zgjidhje për këta të burgosur por, sipas tij, kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Për vetë faktin që një i burgosur ka mbetur ende me dy euro në ditë që paguhet mendoj që është teori e gabuar” – tha më tej ai.

Astrit Bunjaku, përfaqësues i kompanisë “Drena” ka thënë se janë të gatshëm që të punësojnë persona të cilët sapo kanë dalë nga burgu.

“Mundemi me punësu si punëtorë të rregullt, mundemi me i dërgu edhe në lokacione të ndryshme pos fabrikës, kudo që ata do ta kishin më afër. P.sh. në Dubravë ku e kemi fermën, ndërtimtari në Prishtinë” – tha ai.