Rrëfimi i Zogajt në gjykimin ndaj Thaçit, i akuzuar në rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK

 

Sokol Zogaj, ish-zëvendës drejtori i sigurisë i QKK-së, dëshmoj sot para trupit gjykues në cilësinë e dëshmitarit të propozuar nga prokuroria.

Ai ka dëshmuar sot në gjykimin ndaj Emrush Thaçit dhe Nexhib Shatrit, të ciltë akuzohen për keqpërdorim detyrën zyrtare duke i mundësuar Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës arratisjen nga Spitali i Prishtinës (QKUK).

Zogaj deklaroi që u qëndron prapa deklaratave të dhëna.

Ai në pyetjen e prokurores së rastit Flroie Shamolli se cilat ishin detyrat e zëvendës drejtorit të Sigurisë, listoi një sërë detyrash.

“Detyra kryesore e zëvendës drejtorit të përgjithshëm për siguri është që të ndikon apo të organizon që siguria të jetë në burgje, në nivelin e duhur, pastaj trajnimet profesionale për siguri, kërkesa për ministrinë që të ndahet buxhet i mjaftueshëm për siguri, të interesohet për resurset humane për shërbimet korrektuese të Kosovës e që ndërlidhet me sigurinë e burgjeve dhe shumë punë tjera”, deklaroi Sokol Zogaj.

Ai deklaroi para trupit gjykues se kompetent për kategorizimin e personave të paraburgosur është Gjykata.

“Për të paraburgosurit kompetent është Gjykata dhe sistemimet në qendrat e paraburgimit, e aty varësisht nga kategoria p.sh. ata që kanë qenë më rrezikshmëri të lartë i kemi sistemu në burgun e sigurisë së lartë, e të tjerët në qendrat e tjera të paraburgimit, Dubravë, Prishtinë, Gjilan, etj”, deklaroi Zogaj.

Ai tutje shtoi se me sa i kujtohej për Sami Lushtakun ka pasur vendim për kategorizim, ndërsa për Ismet Haxhën dhe Sahit Jasharin nuk është i sigurtë.

Ai shtoi se “këto vendime nuk kanë qenë të përhershme për kategorizim, por varësisht prej kërkesave të burgjeve, komisioni ka vendos shumë herë që t`i propozojë prokurorisë së EULEX-it që të hiqet nga kategoria me arsyetim që ka sjellje të mira ndaj stafit ose ka raste kur janë dënuar jo me më shumë se një vit ose dy, nuk më kujtohet rasti por ka pasur raste janë hequr nga kategoria”.

Ai tha se për arratisjen e personave të lartcekur ka dëgjuar nga drejtori i Qendrës në Prishtinë.

“Unë kam dëgjuar nga drejtori i Qendrës në Prishtinë, që prej këtij momenti nuk janë nën mbikëqyrjen e oficerëve të shërbimit korrektues.

Lidhur me këtë jam njoftuar gojarisht, pastaj më kanë pyet mediat, dhe duke u bazuar në deklaratën e drejtorit, unë mediave ju kam përgjigj se personat që janë arratisë nga spitali, unë ju kam thënë kështu decidivisht se ata janë arratisë nga spitali, pastaj ka pasur presion prej mediave me ju tregu se a janë arratisë, se a nuk janë arratisë nga spitali”, deklaroi Sokol Zogaj.

Ai deklaroi se arratisjet kanë ndodhur edhe më herët, jo vetëm sa ka qenë drejtor tani më i akuzuari Emrush Thaçi.

“Në Qendrën Spitalore, QKUK nuk ka pasur siguri sepse nuk ka pasur dhoma të veçanta me grila, dhe të shtoj edhe atë se edhe disa herë më herët janë larguar nga QKUK si personat e paraburgosur ashtu edhe ata të dënuarit. Kjo ka ndodh edhe në qendrat e paraburgimit në Pejë, Prishtinë, Prizren, jo deri sa ka qenë drejtor i qendrës së paraburgimit zotëri Emrush Thaqi, por edhe më herët”, tha ai.

Zogaj gjithashtu tregoi se nuk ka oficerë të mjaftueshëm dhe se për rritjen e numrit të oficerëve kanë bërë kërkesë disa herë.

Më pas për dëshmitarin pati pyetje mbrojtësi i të akuzuarit Emrush Thaçi, avokati Eset Berisha.

“A mund të nënkuptohet me këtë se ka pasur mungesë të personelit në vitin 2014?”, pyeti Berisha dëshmitarin.

“Me vet faktin se për çdo vit kemi kërkuar që të pranohen më shumë staf, kjo nënkupton vetëm për uniformë por edhe për shërbime tjera, pjesën më të madhe kemi marr përgjigje që nuk ka buxhet”, Deklaroi Zogaj

Tutje ai shtoi se jo vetëm gjatë vitit 2014, por edhe tani kanë mungesë të oficerëve edhe pse ai më nuk është aty.

Dëshmitarit më pas i bëri pyetje edhe i akuzuari Emrush Thaçi.

Ai pyeti dëshmitarin se kush kërkon nga drejtori i Qendrës së paraburgimit që të dërgoj oficerë në sigurinë e të paraburgosurve.

Sokol Zogaj u përgjigj se: “Njësiti i transportit në Dubravë me njësitin e transportit në Lipjan merren vesh me drejtorin e qendrës së paraburgimit, pa marrë parasysh qendrën e paraburgimit”, deklaroi Zogaj

“Cili është departamenti që merret me këtë çështje?”, pyeti Thaçi.

“Jo departamenti, por njësiti i transportit që është në kuadër të departamentit për siguri”, deklaroi Zogaj.

Pasi që edhe trupi gjykues pati pyetje për dëshmitarin Sokol Zogaj e të cilat pyetje nuk mundeshin të përfundoheshin brenda orarit të punës, Gjykata mori aktvendim me të cilin shqyrtimi i sotëm gjyqësor shtyhet për datën 13 tetor 201, në ora 9:30.

Sipas aktakuzës, Emrush Thaqi në cilësinë e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës arratisjen nga Spitali i Prishtinës (QKUK).

Aktakuza thotë se këtë veprim ai e ka bërë me qëllim që të ngritet në detyrë, duke u emëruar drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Tutje thuhet se ai ka dështuar që të sigurojë prani të gardianëve, për t’i mbikëqyrur të pandehurit dhe t’i trajnojë ata që të jenë në gjendje të mbikëqyrin të burgosur të sigurisë së lartë.

Thaçi akuzohet gjithashtu se ka dështuar të ndërtojë një sistem ku parandalohen vizitat nga jashtë për të pandehurit dhe ka dështuar gjithashtu që t’u japë urdhra oficerëve të tij, që të bashkëpunojnë me oficerë të policisë të cilët kishin ardhur në vendin e krimit.

Pas kësaj ngjarjeje, Thaçi ishte emëruar drejtor i Shërbimit Korrektues, prej nga kishte pasur mundësi më të mëdha për t’i ndihmuar grupit të të akuzuarve në krye me ish kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun.

Ndërsa i akuzuari Nexhib Shatri, thuhet se duke vepruar nga data 2 janar 2014 e tutje, në pozitën e personit zyrtar, si mjek në QKUK, ka lëshuar raporte të rreme mjekësore, duke kërkuar ekzaminime mjekësore për të paraburgosurin Sami Lushtaku, dhe duke paraqitur kështu gjendje të rrejshme mjekësore, për të mundësuar transfere të rregullta të tij në spital.

Kështu thuhet se, i ka ndihmuar Lushtakut, për të gëzuar masa më pak kufizuese, ashtu që pastaj Lushtaku është arratisur.

Me këto veprime thuhet se Shatri ka keqpërdorur pozitën zyrtare, ka kryer veprën penale falsifikim i dokumentit dhe veprën lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria.

Shatri po ashtu akuzohet se me 23 korrik 2016, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar, si mjek në Qendrën e Paraburgimit ne Dubravë, ka tejkaluar autorizimet e veta, duke mundësuar transferimin e të paraburgosurit Shkëlqim Latifaj në ditën e ardhjes së tij nga Dubrava, nga blloku nr.8 në repartin e spitalit në Dubravë.

Me këtë thuhet se i ka mundësuar të njëjtit, përfitim në formë të gëzimit të kushteve më pak kufizuese.