Draft-Rregullorja për Mësimdhënësit Diskutohet në Pejë

Rregullorja mori kritika edhe nga asamblistët e partive në pushtet.

Shefit të grupit të asamblistëve të PDK-së Muhamet Halitajt nuk i pëlqeu pika 3 e nenit 25 që i konsideron shkelje të rëndë kurset private nga mësimdhënësit.

“Në nenin 25, pika tre, ku cilësohet si shkelje e rëndë mbajtja e kurseve private. Ka qenë pikërisht e imja që të ndërmerren masat ndaj atyre personave ose arsimtarëve të cilët e kanë keqpërdorur mbajtjen e kurseve private, por nuk ka qenë kërkesë që të ndërpritet mbajtja e kurseve,” tha Halitaj.

Ai tha se kishte propozuar që të ndëshkohen mësimdhënësit që keqpërdorin kurset e mësimeve private, e jo që ato të ndalohen krejtësisht.

Shefi i asamblistëve të PDK-së që bashkëqeveris me LDK-në në Komunën e Pejës tha së është mirë që t’u lejohet mbajtja e kurseve private atyre mësimdhënësve të licencuar dhe që s’kanë konflikt interesi.

Kritika dhanë edhe përfaqësuesit e subjekteve opozitare në Asamblenë e Pejës.  Galdim Krasniqi, asamblist i AAK-së draft-rregulloren e cilësoi në kundërshtim me sistemin arsimor.

“Kjo rregullore as në përmbajtjen e saj sasiore, as cilësore, as juridike, as profesionale e pedagogjike nuk ka përputhje me kronologjinë e ndërtimit të strukturës së detyrave dhe përgjithësive në fushën e arsimit, në bazë legjislacionit që funksionon sistemi arsimor,“ u shpreh Krasniqi.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal Islam Husaj kërkoi që anëtarët e komisionit t’i marrin parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e seancës së sotme, pasi të kalojë në diskutim publik prej 14 ditësh.

Draft-rregullorja u miratua pastaj me 24 vota për, një kundër dhe një abstenim.

Përveç të drejtave dhe detyrave të mësimdhënësve, kjo rregullore do të merret edhe me përgjegjësinë disiplinore dhe materiale dhe mungesën nga puna të punonjësve në institucionet edukativo – arsimore dhe aftësuese në Komunën e Pejës.