Donika Kadaj-Bujupi Beson në Vetëvendosje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka zyrtarizuar kalimin në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje pasi ditë më parë ka braktisur AAK-në.

Zyrtarizmi i kalimit të saj është bërë në mbledhjen e XXIV e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Duke i dëshiruar mirëseardhje, nënkryetari i LVV-së, Driton Çaushi e ka quajtur bashkëpartiaken e re si një nga deputetet më të guximshme, më konsistente dhe më të bindura në kauzën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, në një fjalë rasti, Donika Kadaj-Bujupi tha se vendim i saj është një vazhdim me besim të plotë në Lëvizjen Vetëvendosje, e cila, sipas saj, i qëndroi besnike parimeve të veta.

“Ajo çka po ndodh sot dhe ky vendim i imi është një vazhdim me besim të plotë në lëvizjen e cila i qëndroi besnike parimeve të veta, pavarësisht erërave të forta që e goditën. Me Lëvizjen e cila nuk u tundua asnjëherë për pushtet por mbajti zotimin dhe përkushtimin për shtet”, tha ajo.

Deputetja Kadaj-Bujupi shtoi se për ta luftuar të keqen duhet edhe shumë punë, shumë besnikëri, shumë unitet dhe duhet një masë kritike e të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë.

Në fund të fjalës së saj, ajo tha: “Më lejoni që ta përmbyll këtë fjalë me thënien: Po të më jepej mundësia të zgjedhja në mes të paqes dhe drejtësisë, do të zgjedhja drejtësinë. Të dashur miq, në rrethanat e krijuara, unë u përcaktova për drejtësinë dhe mu për këtë sot jam këtu në mesin tuaj”.

Donika Kadaj-Bujupi ka njoftuar për largimin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më 24 mars. Deri në këtë ditë, ajo ishte shefja e grupit parlamentar të AAK-së.