Diskutimi i vonuar për një çështje të rëndësishme në Kuvend

Frashër Krasniqi, në emër të PSD-s tha se shteti nuk ndërtohet ad-hoc, dhe se çështje si ajo e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit do të duhej të diskutoheshin para përmbylljes së mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë.

“Si është e mundshme që procese kaq të rëndësishme na vijnë për diskutime në Kuvend në mënyrë të jashtëzakonshme dhe në mënyrë të përshpejtuar. Pse nuk është hap ky diskutim më herët dhe para se mi kaluar mandati EULEX-it. Ka mundur me u hap debati shoqëror dhe me u than këto mendime para se të përpilohet ligji. Jemi duke ndërtuar shtet ad-hoc, nuk ndërtohet shteti ad–hoc dhe duke na sjell para një akti të tillë”, tha Krasniqi.

Sipas tij, sa i përket punës së kësaj Gjykate ka pasur shumë pakënaqësi nga vendimet që janë marr.

Zgjidhja më e mirë sipas Krasniqit është që kjo gjykatë ose kjo dhomë e veçantë të bëhet departament i veçantë në Gjykatën Themelore dhe në Gjykatën e Apelit në përgjithësi në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Merr pak më shumë kohë por mendoj që zgjidhet çështja në mënyrën e duhur. Nuk duhet ta cenojmë drejtësinë për hir të efikasitetit”, përfundoi Krasniqi.